Kosova

Demi: Të ndryshohet vendimi i Kushtetueses, Qeveria të formohet nga cilado shumicë parlamentare

Analisti Agron Demi e ka quajtur bastardim të parlamentarizmit, interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 e cila nxori përfundim se partia ose koalicioni fitues i zgjedhjeve duhet ta formojë Qeverinë, e jo shumica parlamentare.

Sipas tij, “ky interpretim nuk i kushton rëndësi shumicës parlamentare për ta formuar Qeverinë, por obligon partitë jo fituese që nëse duan të jenë në pushtet duhet gjithsesi të bëjnë koalicion me partinë fituese”.

“Tash, duke marrë parasysh interpretimin e vitit 2014, është hipokrizi me mendu se mund të shmanget fituesi i zgjedhjeve dhe se shumica parlamentare mund ta formojë Qeverinë. Sipas kësaj logjike, partitë dhe institucionet mund të futen në aso aventurash, ku ja mundësojnë fituesit të zgjedhjeve që të krijojë Qeverinë, qoftë edhe për një ditë, pastaj ja marrin mandatin dhe e formojnë qeverinë pa fituesin. Kjo është me bë hajgare me procesin zgjedhor dhe parimet e parlamentarizmit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se më mirë do të ishte të ndryshohej Kushtetuta.

“Më mirë do të ishte që të ndryshohet Kushtetuta, ku cilado shumicë parlamentare (edhe pa fituesin e zgjedhjeve) të ketë të drejtën të formoj qeverinë, se sa të interpretohen rregullat varësisht në cilën anë ndodhet PDK”, ka shkruar ai.