Kosova

Demhasaj: Afati prej 15 ditësh mund t’i bëjë më të frytshme negociatat mes VV-së e LDK-së

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka thënë se nga sot presioni për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është më i madh.

Ai tutje në Express Intervista të KTV-së ka thënë se komunikimi mes dy palëve ka qenë i acaruar, por se, mendon që duhet të ndodhë një takim dhe të gjendet një mes i përbashkët i dy ofertave të prezantuara nga dy partitë.

Demhasaj thotë se presioni që ua jep koha mund t’i bëjë negociatat më të frytshme nëse të dyja partitë e synojnë marrëveshjen për qeverisje.

“Nëse e analizojmë situatën prej fillimit subjektet nuk kanë ardhur duke u përafruar por duke u larguar. Unë mendoj që është krijuar opinioni që janë afër arritjes së marrëveshjes por nuk ka qenë asnjëherë, kjo ka ardhur për shkak të mungesës së transparencës me mediat dhe publikun. Kur filloi të flitet në publik e kuptuam që nuk kanë qenë afër. Kjo ta jep përshtypjen që po dëshirojnë ta lënë fajtor njëra- tjetrën”, ka thënë ai.

Ai thotë se komunikimi me letra dhe video është më shumë komunikim me publikun se sa partnerët mes vete.

Sipas tij, kjo është tendencë për shfajësim në elektorat.

Demhasaj thotë se gjuha mund të tejkalohet, por inatet dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit do të ndikojnë që qeverisja të mos jetë e mirëfilltë.

“Nuk ka qenë e pritshme deri në këtë masë mospajtimi i tyre, sepse të dy partitë politike kanë pasur një fushatë të moderuar. Është pritur që pas zgjedhjeve me pas një bashkëpunim më të shpejt, por kur filloi ndarja e posteve e pamë që u shpërfaqen mospajtimet”, ka thënë ai.

Demhasaj thotë se kryetari i Kuvendit mund ta thërras seancën më herët nëse ka sinjale që mund të votohet qeveria.

Ai i ka cilësuar si presion letrat e presidentit Thaçi drejtuar Vetëvendosjes për dorëzimin e emrit të mandatarit.

“Gjithçka është e stagnuar në vend, nuk ecë asgjë derisa nuk ka qeveri. Në një situatë të tillë kur nuk e din se cila parti është pozitë e cila është opozitë nuk e din se si të rregullohen komisionet parlamentare. Disa komisione është dashur të krijohen siç është ai për buxhet dhe financa sepse ne po shkojmë drejtë një kolapsi financiar”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet të krijohet Komisioni për Buxhet dhe Financa për të tejkaluar situatën në të cilën jemi.

Demhasaj thotë se nëse Kurti dështon ta krijojë qeverinë brenda 15 ditëve atëherë presidenti mund ta jap mandatin te një kandidat tjetër.

“Nëse edhe mandati i dytë dështon brenda 10 ditëve atëherë ne shkojmë drejt fundit të buxhetit. Atëherë ne nuk mund të hyjmë as në zgjedhje pa buxhet, sepse nuk ka ligj për buxhet”, ka thënë ai.

Ai thotë se gabimi i parë që Vetëvendosje ka bërë është vendosja e vijave të kuqe të gjitha partive tjera politike.

Ai thotë se më këtë LDK-ja mund të ketë apetite më të mëdha për kërkimin e posteve.

Demhasaj thotë se në logjiken parlamentare partia e dytë duhet ta luftojë partinë e parë që në zgjedhjet tjera të dalë e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.