Kosova

(De)maskimi i Policisë

Beteja më e vështirë që ka Policia e Kosovës është ajo me vetveten. Policë pa integritet, të përfshirë në veprime të jashtëligjshme, me dyshime se janë të lidhur me grupe të interesit, e kanë sjellë këtë institucion në pozitë që para se të luftojë krimin e korrupsionin jashtë institucionit, të merret së pari me krimin e organizuar brenda vetes.

Si një nga organizatat me të mëdha publike, Policia kohë pas kohe kthehet në vëmendjen e mediave dhe të opinionit publik pikërisht për shkak të skandaleve që prodhon, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në përpjekje për të “fashitur” zërat në publik se menaxherë të ndryshëm policorë e hetues të rëndësishëm janë të përfshirë në afera, në vend se të iniciojë hetime penale, menaxhmenti ka nisur të maskojë keqpërdorimet duke sjellë fytyra të reja në krye të disa drejtorive, të cilat nuk janë dëshmuar në performancë, por as nuk janë përfolur për afera.

Janë larguar mbi dhjetë hetues nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike. “Pastrimi” i ka përfshirë edhe katër drejtorë departamentesh. I paprekur nuk ka mbetur as ish-drejtori i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti. Personat e degraduar e cilësojnë hakmarrje veprimin e menaxhmentit, e menaxhmenti i Policisë së Kosovës thotë se mungesa e integritetit dhe e rezultateve në luftën kundër korrupsionit kanë bërë që këta zyrtarë të mos jenë në pozitat që kanë mbajtur gjatë.