Kosova

Demaliaj: Opozita nuk ka agjendë, bojkoti do t’i kushtojë

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, dhe është shprehur optimist se do të votohet në Kuvend.

Ai në Interaktiv të KTV-së, nisi fillimisht me pak fjalë për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi. “Kemi humbur një njeri të madh, revolucionar, njeriu më fisnik i shekullit të vet. Është një humbje e madhe për Kosovën”, tha ai.

Kujtojmë se nesër do të mbahet në orën 11:00 një mbledhje komemorative.

Demaliaj tutje duke folur për gjendjen aktuale, ka thënë se nënçmon rolin e opozitës për sa i përket deklaratave të tyre.

“Zgjedhjen nuk mbahen për pozitë e opozitë por për qytetarët. Mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend, po luan rol. Prania e tyre duhet të jetë, edhe nëse s’votojnë. Roli i tyre është i madh. Po e them edhe sonte se duhet të lutemi që të mos ketë opozitë me 2 të 3 sepse e humb kuptimin”, tha ai.

“Opozita po humb më së shumti, sepse ata nuk kanë agjend”.

Demaliaj thotë se AAK kur ka gjuajtur gaz në Kuvend, ka pasur të drejtë, ndërsa veprimet e sotme të opozitës, nuk po i quan të drejta.

Marrëveshjet ndërkombëtare, thotë ai, duhet të votohen me 2 të 3 e deputetëve. Këtë ai e quan të nevojshme.

Deputeti i AAK-së, thotë se format e bojkotit të opozitës do t’ju kushtojnë.

“Sonte me u mbajt zgjedhjet as përgjysmë s’mundem me u bë”, thotë ai.

Demaliaj thotë pavarësisht deklaratave të opozitës, në Kuvend do të votohet për dialogun Kosovë-Serbi.

“Kuvendi me shumicën e thjesht do funksionojë vazhdimisht”, thotë Demaliaj.

Demaliaj është i bindur se Qeveria Haradinaj do ta qoj mandatin deri në fund.

Ai thotë se deshëm apo nuk deshëm, Hashim Thaçi e ka përvojën më të madhe me Serbinë, prandaj duhet ta udhëheqë dialogun.

Për deklaratat e tij se ka thënë se Isa Mustafa nuk është i sëmurë por vetëm po shtiret, ai përsëri s’ka ndërruar qëndrim.

“Nuk kam dëgjuar asnjë zyrtar të LDK-së përveç Lumir Abdixhikut që ka reaguar. Vetëm më ka thënë të tërhiqem. Asnjë zyrtar s’e ka komentuar këtë çështje. Unë e di që Mustafa me familje me aeroplan privat është larguar nga Kosova. Megjithatë, unë i uroj shëndet. Por nëse partia e duan të sëmurë është e tyre. Deri tani s’kemi asnjë diagnostifikim për të si zyrtar shtetëror. Kam të drejtë edhe të dyshoj”, tha ai.