KULTURË

“Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit rrëmben Çmimin e Madh në Varshavë

Filmi “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit ka fituar Çmimin e Madh në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival”, raporton Hollywood Reporter.

“Delegacioni” është bashkëprodhim mes katër vendeve – Kosovës, Shqipërisë, Francës, dhe Greqisë, transmeton Koha.net.

Koha Ditore ditë më parë kishte shkruar se filmi trajton ngjarjen në Shqipërinë e tetorit të vitit 1990, kur regjimi komunist përpiqet ta mbajë pushtetin.

Filmi, skenarin e së cilit e ka shkruar Artan Minarolli, ishte shfaqur para audiencës së festivalit në Varshavë.

“Delegacioni” është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për projekte filmike të vitit 2016.

Me role kryesore në këtë film luajnë: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha. Ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët: Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Smajli, Gani Morina, Arta Selimi, Imer Loshi.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka paralajmëruar se “Delegacioni” do të shfaqet edhe në Kosovë.