KULTURË

“Delegacioni” i Bujar Alimanit nominohet për “Oscar”, sot shfaqet në New York

Filmi shqiptar “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të Artan Minarollit, është nominuar për çmimet “Oscar”.

Ky film pritet të shfaqet sot, më 14 janar në New York dhe kjo cilësohet si një arritje shumë e madhe për kinematografinë shqiptare. Në fakt kjo nuk është hera e parë që “Delegacioni” shfaqet në festivale ndërkombëtare, duke qenë se edhe në vitin 2018-të fitoi çmimin e madh “Warsaw Grand Prix” në Festivalin e 34-të të filmit në Varshavë.

Në qendër të filmit shqiptar janë ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri, kur një delegacion europian mbërriti në Tiranë për të monitoruar reformat e qeverisë komuniste, që kërkonte ende të mbante pushtetin. Në “Delegacioni” luajnë disa nga aktorët më të njohur shqiptarë si Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Kasem Hoxha, Lulzim Zeqja etj.

Filmat e Alimanit janë vlerësuar gjithmonë për elementet e tyre historike duke pasur në qendër zhvillimet social-politike të vendit dhe kohës ku vendosen ngjarjet. Kujtojmë se çmimet “Oscar” do të mbahen në teatrin Dolby në “Hollywood” dhe do të transmetohet në 9 shkurt në rrjetin e “ABC”.