Kosova

Deklarohet kryetari i Lipjanit, pasi drejtori komunal dhe ai i QKMF-së janë me aktakuza

Një drejtor i Komunës së Lipjanit, si dhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë janë me aktakuza.

Drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi akuzohet për “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës”, kurse drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, Rasim Hasani akuzohet për kanosje.

Lidhur me këtë çështje, është deklaruar në emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

Për rastin e drejtorit të QKMF-së, Agim Krasniqi, Ahmeti tha se nuk ka të bëjë me aktakuzë me marrëdhënie të punës.

“Ka aktakuzë të marrëdhënieve personale të njerëzve, duhet me i dallu gjanat. E dyta, gjithkush është i pafajshëm deri në vërtetimin e pafajësisë dhe e treta, unë nuk e kam pru atë drejtor, qaty e kam gjet, e kanë kthy organet e drejtësisë në marrëdhënie pune dhe unë i zbatoj vendimet”, tha ai.

Ndërkaq, për rastin e drejtorit komunal Rasim Hasani, i pari i komunës, Imri Ahmeti tha se duhet të shihet a hidhet poshtë aktakuza.

“Në çështje personale  të njerëzve nuk është mirë me u lëshu. Janë çështje private krejt. Lidhje s’ka me marrëdhënie pune ajo punë”, tha ai.

I pyetur nëse premtimi i shkallës së parë tregon se këta dy drejtorë janë fajtor, a do të shkarkohen, Ahmeti premtoi se do t’i largojë nga puna.

“Shkojnë prej shpije automatikisht”, premtoi ai.

Prokuroria Themelore në Prishtinë , në një përgjigje për kallxo.com më 13 tetor 2020, ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës kundër personit me inicialet A.K., në drejtim të veprës penale “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës”, po ashtu, ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet R.H., në drejtim të veprës penale “Kanosja”.

Edhe  Gjykata Themelore e Prishtinës, më 13 tetor 2020 në një përgjigje për kallxo.com ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan me datë 12.03.2020 ka pranuar aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të akuzuarin A.K. për veprën penale “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

Ndërsa, sipas tyre,  me datë 20.05.2020 është pranuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të akuzuarin R.H për veprën penale “kanosje”. “Po ashtu ju informojmë se palëve iu është dorëzuar aktakuza nga ana e gjykatës, ndërsa veprime tjera nuk janë ndërmarr ngase ende janë duke u trajtuar lëndët  penale të vitit 2018 dhe 2019, andaj pritet që së shpejti të caktohen seancat fillestare lidhur me këto dy çështje penale”, thuhet në përgjigjen e gjykatës më 13 tetor 2020./kallxo.com