Kosova

Deklarata kontradiktore nga Washingtoni dhe ekipi (jo) ideal negociator i Kosovës!

Pala nikoqire dhe dy delegacionet nga dy vendet e Ballkanit, kanë dhënë deklarata kundërthënëse për sa i përket skenarit të mundshëm të bisedimeve në Washington – shkruan Kosova.info

Më 1 shtator, në një intervistë të drejtpërdrejtën nga Washingtoni, vet Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, tha se; me Serbinë do të flasim për njohje reciproke, pasi që, prej vitit 2011, kur edhe kanë filluar negociatat, është folur për normalizim marrëdhëniesh mes dy shteteve, por që tani, që të gjithë e kanë kuptuar se situata normalizohet vetëm me njohje reciproke.

Hoti gjithashtu theksoi se në rend dite do të diskutohet për çështje ekonomike, saktësisht për linjat: ajërore (komerciale), hekurodhore dhe atë rrugore. Në këtë deklaratë, duhet vënë në dukje se ai nuk e ka përmendur se do të diskutohet çështja e njohjes reciproke. Po ashtu, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, më datë 14 gusht, ai e ka bërë të qartë se në Washington do të diskutohet për projekte të mëdha ekonomike.

Homologu i tij Aleksander Vuciq, rreth takimit të 4 shtatorit në Washington, ka thënë se “nuk e di se çka do të diskutohet në takim”. Për më tepër ai i është referuar një këshilltari special të presidentit amerikan, i cili ka deklaruar se vetëm çështjet ekonomike do të jenë “në tryezë”, ndonëse vet Vuçiq nuk e përjashton mundësinë që çështje të tjera të hapen në vazhdën e bisedimeve ndërmjet dy vendeve.

Sipas Vuciq, palës kosovare nuk i intereson për të diskutuar aspektin ekonomik, ata janë të fokusuar në njohje reciproke.

“Takimi në Washington mund të sjell supriza, nuk e di se çka do të diskutohet dhe nuk e di nëse Presidenti amerikan Trump do të marrë pjesë në takim por që nëse ata do të flasin për njohje të ndërsjellë, unë do ta refuzoj takimin dhe nuk do të takohem me Trump e as me Kryeministrin Hoti” – citohet të ketë thënë Vuçiq.

Richard Grenell, i zgjedhuri amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, para takimit ka thënë se “pajtohem me Kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuciq, për arsyen se askush nuk e di se çfarë do të diskutohet në takim!”.

Do të diskutohet për çështje ekonomike – sipas Hotit, por ekipi negociator a është i duhuri?

Siç është raportuar, veç Kryeministrit Hoti, në palën kosovare bëjnë pjesë edhe këta zyrtar:

  1. Ministri i Drejtësisë – Selim Selimi;
  2. Minstrja e Punëve të Jashtme – Meliza Haradinaj – Stublla;
  3. Ministri i Infrastrukturës – Arban Abrashi;
  4. Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj;
  5. Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj;
  6. Kordinatori për dialog – Skender Hyseni; si dhe:
  7. Shefja e Kabinetit të Kryeministrit Hoti – Ardita Dushi.

Ndonëse atje, sipas disa deklaratave, pritet që të diskutohet edhe për çështje ekonomike, mbetet “mister” pse Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, nuk është pjesëmarrës.

Ndryshe nga pala Kosovare, në ekipin e palës serbe kanë shkuar këta zyrtarë:

  1. Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë – Marko Gjuriq;
  2. Ministri i Financave – Sinisa Mila;
  3. Kryetari i Dhomës së Tregtisë – Marko Sadez, si dhe:
  4. Vet Kryeministri Aleksandër Vuçiq.

Duke e komentuar momentumin, përkatësisht kontekstin politik në të cilin po ndodh i gjithë ky proces, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu për Kosova.info u shpreh se:

“Është për tu falënderuar gatishmëria e ShBA-ve për të mbështetur këtë dialog dhe për të normalizuar hendekun e krijuar në mes Kosovës dhe Serbisë, por lind pyetja deri sa Kosova nuk njihet si shtet për Serbinë dhe deri sa Kosova më tutje është pjesë e kushtetutës së Serbisë, kush me kë bisedon dhe si do të jetë implementimi i marrëveshjeve që do të nënshkruhen? Fakti që në delegacionin e Kosovës flitet për një dialog me rëndësi ekonomike siç është hekurudha, autorruga dhe avio-transporti, në përbërjen e këtij delegacionit kosovar ka shumë më tepër ngjyrosje politike, jo profesionale dhe më së paku përbërje dhe strukturë profesionale ekonomike.”

Përndryshe, palët pritet të ballafaqohen përsëri të hënën me datën 7 gusht në Bruksel, për të vazhduar dialogun të udhëhequr nga Josep Borell dhe Miroslav Lajcak.  Është paralajmëruar se temë dite do të jetë zgjidhja e çështjes së komunitetit të pakicave, pretendimet e ndërsjella dhe pronat. Zëdhënësi i BE – së Peter Stano ka bërë të ditur se Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajcak do të zhvillojë raundin e katërt të bisedimeve të ekspertëve midis Beogradit dhe Prishtinës, në të cilin ata do të diskutojnë temat e nisura tashmë të personave të zhdukur dhe të zhvendosur dhe bashkëpunimin ekonomik gjatë fundjavës së ardhshme./A.Rrahmani/Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.