Kombëtare

Deçani nis përgatitjet për grumbullimin e mbeturinave në tërë territorin e komunës

Komuna e Deçanit në bashkëpunim me organizatën qeveritare GIZ-i gjerman dhe me organizatën joqeveritare në Kosovë Green Art Center-Prishtina (GAC) vijon kampanjën “Deçani Ekologjik”, në kuadër të së cilës synohet zgjerimi i shtrirjes së shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në 100% të territorit komunal si dhe pastrimin e të gjitha deponive ilegale dhe rivitalizimin e tyre për një mjedis më të pastër.

Sipas njoftimit të dërguar mediave, në këtë komunë, Departamenti i Shërbimeve Publike dhe kompania komunale “Higjiena” të përkrahur me ekspertizë të jashtme në fushën e menaxhimit të mbeturinave janë duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për implementimin e këtij plani ambicioz, i cili do ta sjellë këtë komunë në shtrirjen e shërbimit nga 30,8% sipas raportit të AMMK për vitin 2018 në 100% deri në fund të vitit 2019.

Njëherësh, Komuna e Deçanit ka nisur edhe aksionet për pastrimin dhe rivitalizimin e dhjetëra deponive ilegale të krijuara në këtë komunë, aksione këto që do të vijojnë derisa të përfundohet komplet rehabilitimi i tyre. Ndër të tjerash kryetari i Komunës Bashkim Ramosaj, tregon se tashmë kjo komunë ka bërë të gjitha parapërgatitjet dhe investimet dhe është e gatshme për implementimin e këtij plani konkret dhe tendencioz që do e sjellë Komunën e Deçanit në një komunë ekologjike duke ju përshtatur edhe natyrës e bukurive natyrore që bart ky qytet”, thuhet në njoftim.

Njëherësh në një prononcim prej ekspertëve të GIZ-it gjerman në Kosovë, ”Projekti për Shërbime të Qëndrueshme Komunale” tregojnë se projekti i qeverisë gjermane është duke i përkrahur të gjitha komunat në Kosovë me asistencë teknike profesionale për përmirësimin e sektorit të shërbimeve publike me qëllim ofrim të shërbimeve më të mira për qytetarë.

“Prej anës së GAC, Beu-Muçaj shprehet se implementimi i një plani të tillë ambicioz prej anës së komunës së Deçanit jep shembullin më të mirë që ka ardhur koha për të zgjidhur çështjen e mbeturinave në nivel lokal dhe nacional dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete do krijojë kushte për një mjedis të qëndrueshëm e më të pastër. Ndër të tjerash ajo potencon rëndësinë e përkrahjes qytetare në pranimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave, pagesës së rregullt të taksës për shërbim si edhe bashkëpunimin e ndërsjellët për të mbajtur pastër mjedisin jetik. Gjithashtu, Beu-Muçaj tregon se me përkrahjen e donatorit Giz, Komuna e Deçanit ka nisur të punojë në drejtim të përmirësimit të shërbimeve komunale prej vitit të kaluar duke përmirësuar kuadrin institucional ligjor për themelimin e kompanisë komunale dhe të gjitha planet dhe planifikimet përcjellëse që ndihmojnë në këtë drejtim”, thuhet tutje në njoftim.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.