Kombëtare

Deçani e Istogu ndajnë 150 mijë euro për menaxhimin e situatës me Covid-19 dhe për familjet skamnore

Jo të gjitha familjet kanë pasur mundësi materiale të sigurojnë pak më tepër gjëra ushqimore në këtë situatë të rëndë të krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Në komunën e Deçanit, me dhjetëra familje që jetojnë vetëm nga skema sociale kanë drejtuar kërkesa Komunës për t’u dalë në ndihmë me artikuj ushqimor dhe materiale higjienik.

Për nevojat e këtyre familjeve por edhe për të plotësuar nevojat tjera në këtë situatë emergjente për parandalimin e virusit COVID-19, ekzekutivi i kësaj komune ka ndarë 100 mijë euro.

Ndarja e këtyre mjeteve është miratuar të enjten nga Kuvendi Komunal, në një seancë të jashtëzakonshme, e cila për shkak të sigurisë dhe zbatimit të largësisë sociale është mbajtur në sallën e amfiteatrit të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”.

Kryetari i kësaj Komunë, Bashkim Ramosaj, ka thënë se kjo shumë e ndarë nga kuvendi komunal do të hyjë në funksion të menaxhimit të situatës emergjent dhe do të kontribuojë për operimin e të gjithë akterëve relevant që janë në funksion.

Këto mjete, siç tha për Kohën, Izet Zenuni, shefi i shtabit emergjent të Komunës së Deçanit, janë ndarë për disa pozicione.

“Për familjet nevojtare, për Qendrën e Kryesore të Mjekësisë Familjare, për kompaninë e mbeturinave ‘Higjiena’, për blerje preparateve dezinfektuese, për pajisje mbrojtëse, maska rroba…”, tha Zenuni.

Nga këto mjete është planifikuar që të ndihmohen së paku 310 familje skamnore me pako ushqimore e higjienike në vlerë prej 30 euro.

“Listën e kemi përpiluar dhe në të janë 308 familje që do të ndihmohen. Ndërkohë janë duke u paraqitur edhe raste tjera për tu ndihmuar”, tha Zenuni, duke shtuar se deri tash janë ndihmuar nga donatorët me artikuj ushqimor 100 familje.

Ndërsa në Komunën e Istogut, siç njoftoi kjo komunë, janë ndarë 50 mijë euro, për t’iu dal në ndihmë familjeve në nevojë për furnizim me gjëra ushqimore dhe higjiene-sanitare.