SPORT

Debutim historik për Maqedoninë e Veriut, por Austria e mund 3-1

Në “National Arena” të Bukureshtit, Maqedonia e Veriut shkruan historinë me pjesëmarrjen e pare në një Kampionat Europian. Edhe pse rezultati nuk ishte ai që prisnin, skuadra e drejtuar nga Angelovski bëri një paraqitje pozitive.

Për herë parë në një Europian, Maqedonia luajti me 4 shqiptarë në formacionin titullar, Musliu, Alioski, Ademi dhe Bardhi dhe ndeshja duhet pranuar që nisi me emocione për fqinjët tanë teksa Austria po sulmonte. Ishte një përballje ku portierët gabuan shumë dhe në fakt në minutën e 18’, Lainer kalon në avantazh Austrinë pas një pozicionimi jo shumë të mirë të Dimitrievskit.

Maqedonia përpiqet të reagojë, ka dëshirë ku edhe pse nuk krijon raste të pastra në 28’ falë në gafe të portierit Bachmann gjen golin e parë historik në një Kampionat Europian. Nderi i takon Goran Pandev që ka edhe rekordin me më shumë ndeshje dhe gola për kombëtaren e tij, teksa sulmuesi përfitoi nga gabimi për të shënuar. Mijëra tifozë në Bukuresht në ekstazë për një gol të merituar historik.

Ndërkohë që Austria rikthehet në sulm, duhet pritur pjesa e dytë për të pare rastet dhe mundësinë më të mire për të shënuar e kishte pikërisht Maqedonia me Nikolov që gjuan dhe portieri e largon por topi i arritur te Pandev nuk devijohet drejt portës.

Me skuadrat shumë të kujdesshme në minutat që mbeten, Austria tregon që ka më shumë eksperiencë dhe shfrytëzon më së miri një krosim nga Alaba në 78’, me Gregoritsch i cili i shpëton mbrojtjes dhe shënon golin e avantazhit.

Skuadra e Angelovskit e ka të pamundur të bëjë më shumë teksa Arnautoviç shfrytëzon sërish gabimet në mbrojtje të kundërshtarit për të shënuar golin e tretë dhe rezultati final është 3-1. Gjithsesi duhet pranuar që Maqedonia e Veriut bën një debutim dinjitoz në Bukuresht.