Kosova

Daut Haradinaj i del në mbrojtje Dardan Molliqajt

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka dal në mbrojtje deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj, sa i përket akuzave që sipas tyre Vetëvendosje ka karshi 12 deputetëve që dikur ishin pjesë e partisë së Albin Kurtit.

Haradinaj në emisionin Debat + të rtv Dukagjinit ka thënë se sa ka qenë Molliqaj në VV është konsideruar hero, ndërsa kur doli nga ky subjekt u cilësua ndryshe.

“Është një tendencë ma e madhe me u nguc PSD-ja, sepse prejardhje kryesisht e ka prej VV-së kjo shihet nëse hini nga komentet, atakohen individë të caktuar. Sa ishte në VV ishte njëri prej heronjve të subjektit politik, prej momentin që tash dul me identitet të vetin politik tash nuk bën, nuk vyen”, ka deklaruar Haradinaj, përderisa është shprehur i bindur se së bashku me PSD-në do të dalin fitues në këto zgjedhje.

Mes tjersh, deputeti i AAK ka thënë se nga Vetëvendosje nuk duhet të shqetësohen sepse edhe ata do t’i gëzohen fitores së koalicionit AAK-PSD.

“…Po prapë se prapë ata nuk duhet me u shqetësu se ka me ju ra mirë edhe atyne, fitorja e këtij koalicioni është e mirë edhe për ata sepse edhe ata janë qytetarë të Kosovës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Molliqaj ka thënë se nga Vetëvendosje kanë frikë sepse e dinë potencialin e deputetëvr të PSD-së.

“A jemi të pa rëndësishëm, a është koalicioni jonë PSD-AAK që i merr 15%, që zhduket PSD lëreni mos u merrni me atë”, ka thënë Molliqaj.

Ditë më parë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me Partinë Socialdemokrate kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor – ku bartës i listës do të jetë Ramush Haradinaj.