Kosova

Daut Dauti i bashkohet VV-së

Daut Dauti i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Me këtë aderim, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se “në na thellohet dija e na zgjerohen njohuritë, përveçse i përforcojmë përparësitë tona ideore e programore”.

Kurti ka treguar se Dauti ka doktoruar në shkollën e cila gëzon reputacion të lartë për studime të historisë, në Universitetin e Leedsit (University of Leeds) në temën: “Britain, the Albanian Question and the Demise of the Ottoman Empire 1876 – 1914” (Britania, çështja shqiptare dhe rënia e Perandorisë Otomane 1876-1914) e se studimet e magjistraturës i ka kryer në West London University (ish Thames Valley University) ku ka studiuar Bashkimin Evropian, kurse Fakultetin Juridik e ka përfunduar në Prishtinë.

Dauti në të kaluarën ka qenë edhe gazetar. Kurti ka treguar se Dauti shkrimet e para i kishte botuar në gazetën e studentëve “Bota e Re” dhe pastaj ka vazhduar në gazetën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ka raportuar nga Londra si korrespondent i “Zëri”-t, dhe, nga viti 1998 ka punuar si gazetar dhe redaktor në IWPR (Instituti për Raportime të Luftës dhe Paqes) në Londër, si dhe është themelues i kësaj zyre në Kosovë.

“Në të kaluarën, nga viti 2000 deri më 2002, Dauti ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve dhe anëtar i Këshillit Qendror të Zgjedhjeve ku ka përfaqësuar mediat. Gjatë kësaj kohe ka qenë Sekretar i Shoqatës për Mendim dhe Veprim të Lirë të cilën e ka udhëhequr Adem Demaçi. Ai gjatë vitit 2004 ka qenë zëdhënës i Qeverisë (kryeministrit) të Kosovës. Pastaj ka kaluar në pozitën e konsulentit për media në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migrim) në Londër. Në Kettering Foundation, një institut (think tank) i njohur amerikan për studime të politikës, gazetarisë, arsimit dhe demokracisë, i bazuar në Dejton (ShBA), Dauti ka studiuar çështjen e mediave në Kosovë, subjekt për të cilin ka botuar një varg librash dhe punimesh shkencore. Ai vazhdon të jetë anëtar i ekipit hulumtues shkencor i këtij instituti ku ka botuar punimet ‘Si të ndërtohen mediat e pavarura në Kosovë’, ‘Kuvendimi sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit’, ‘Procesi i lashtë i vendimmarrjes në mesin e shqiptarëve’, etj”, ka shkruar më tej Kurti në Facebook gjatë prezantimit të Dautit.

Kurti ka thënë se Dauti ka botuar edhe punime (libra) tjera shkencore të bazuara në arkiva të ndryshme, kryesisht të arkivit kombëtar në Londër dhe ku trajtohet historia e diplomacisë britanike ndaj çështjes shqiptare dhe Ballkanit.

“Me shkrimet në shtypin britanik dhe paraqitjet në mediat (televizionet dhe radiot) britanike është i njohur për debatet që për temë kanë Kosovën dhe Ballkanin. Me paraqitjet e tija publike dhe botimet e ndryshme konsiderohet edhe si njohës i politikës së jashtme britanike ndaj Ballkanit, e kryesisht ndaj hapësirës shqiptare”, ka shtuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.