SPORT

“Dardanët” të gatshëm për hapin e madh drejt historisë

Pa pesë lojtarë të rëndësishëm, por me besim, entuziazëm dhe përkrahje të madhe nga tifozët. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është gati për ndeshjen me Çekinë, që luhet të shtunën (sot) nga ora 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Stadiumi do të jetë i stërmbushur me shikues, e lojtarët e përzgjedhësit Bernard Challandes do të jenë të stërmbushur me motiv e vullnet për të dhënë më të mirën e tyre. Të motivuar për një paraqitje të “çmendur”, të tillë që kërkohet për të mposhtur një përfaqësuese të nivelit të lartë evropian si Çekia.

Është kjo përballje e dy përfaqësueseve që synojnë vendin e dytë në grupin A të eliminatoreve të rregullta për “Euro 2020”. Respekti është i dyanshëm, është maksimal. E njëjtë është dëshira te “dardanët” për fitore, që me shumë mundësi do të ishte më e madhja deri më tani. Do të bënte që Kosova të kalojë Çekinë në tabelë e të vazhdojë më e qetë kualifikimet. Po ashtu të rrisë shumë gjasat për të avancuar në Evropianin e vitit tjetër përmes rrugës së parë, nga dy sa i ka gjithsej të hapura tani, shkruan sot Koha Ditore.

Nuk do të jetë lehtë, aq më tepër që seleksionuesi impulsiv, Challandes, nuk mund të llogarisë në pesë titullarë: Milot Rashicën, Arbër Zenelin, Benjamin Kolollin, Hekuran Kryeziun e Herolind Shalën. Sfidë është zëvendësimi i tyre, gjetja e mënyrës për të dominuar ndaj çekëve të disiplinuar e po ashtu arritja e rezultatit të favorshëm.