Kosova

Dallimet në poentimin e kandidatëve për bord të OShP-së: Vendorët nuk propozojnë asnjë grua

Asnjë grua nuk është rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Për dallim nga gjyqtarët, përfaqësuesit e projektit të Ambasadës së Britanisë që kanë asistuar në këtë projekt, kanë vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të OShP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve.

Vjosa Gradinaj-Mexhuani, njëra prej kandidateve të emërueshme, ishte më e poentuara nga ekspertët britanikë në mesin e 20 kandidatëve të intervistuar. Prej britanikëve për anëtare të bordit është rekomanduar edhe kandidatja Shqipe Hoti.

Dallime në poentim kishte edhe te kandidatët e tjerë, gjë që është reflektuar edhe në listat finale të dorëzuara nga dy komisionet vlerësuese që kanë dallime të mëdha.

Komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë i ka dërguar në Kuvend vetëm 5 emra për pesë pozita: 1 për kryetar dhe 4 të tjerë për anëtarë.

Për kryetar të bordit të OShP-së, komisioni vendor e ka dërguar në Kuvend kandidatin Ardian Behra, të cilin e kishin poentuar me 32.3 pikë. Kurse për anëtarë të bordit janë rekomanduar: Hasim Krasniqi me 28.7 pikë, Faruk Rexhaj me 28.0 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26.0 pikë.

Në mesin e kandidatëve më të poentuar nga komisioni vendor janë edhe dy kandidatë që sipas vlerësimit të ekspertëve britanikë nuk i plotësojnë kriteret për emërim në bordin e OShP-së. Hasim Krasniqi dhe Adem Spahiu nuk janë në mesin e kandidatëve të emërueshëm për bordin e OShP-së sipas vlerësimeve të bëra nga ekspertët britanikë, por ata janë rekomanduar për anëtarë të bordit të OShP-së.

Ekspertët britanikë, si zakonisht, kanë një poentim më të ulët për secilin kandidat. Kandidatja më e votuar nga ekspertët britanikë ka arritur të marrë 27 pikë. Britanikët për pozitën e kryetarit i kanë dërguar dy emra si të emërueshëm: Ardian Behra me 26.5 pikë dhe dhe Ruzhdi Morina me 25 pikë.

Kurse, për anëtarë të bordit ekspertët britanikë i kanë rekomanduar 6 kandidatë, prej të cilëve dy gra dhe një nga komuniteti pakicë. Kandidatja më e vlerësuar nga ekspertët britanikë ishte Vjosa Gradinaj-Mexhuani me 27 pikë, e cila është rekomanduar për anëtarë të bordit.  Gradinaj-Mexhuani nuk është propozuar fare për bordin e OShP-së nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë.

Ruzhdi Morina, që ka kandiduar edhe për kryetar e edhe për anëtar të bordit, është propozuar si i emërueshëm për dy pozitat nga ekspertët britanikë. Ndërsa, kandidati Faruk Rexha është futur në listën e kandidatëve të emërueshëm nga dy komisionet vlerësuese: komisioni vendor dhe ai me ekspertë britanikë.

Në mesin e kandidatëve që i plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë të bordit të OShP-së, sipas ekspertëve britanikë, janë edhe Boban Petkoviq, që është poentuar me 24 pikë, Shqipe Hoti, që ka marrë 22.5 pikë dhe Gazmend Gashi, që ka marrë 22 pikë. Këta tre kandidatë nuk janë propozuar për anëtarë të bordit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë.

Në garë për kryetar dhe anëtarë të bordit të OShP-së kanë qenë 27 kandidatë, prej të cilëve 20 janë intervistuar e 7 janë tërhequr nga gara.

Konkursi për kryetar dhe anëtarë të bordit të OShP-së është hapur nga Qeveria e Kosovës, e cila ka në kompetencë vetëm shortlistimin e kandidatëve që i plotësojnë kriteret minimale të konkursit.

Më pas Qeveria ka marrë vendim që lista prej 27 kandidatëve të dërgohet në Kuvend për intervistim.

Kuvendi e ka bërë një panel vlerësues në përbërje prej 3 gjyqtarëve: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Konkursi është zhvilluar me asistencë të përfaqësuesit të projektit të Ambasadës së Britanisë për asistim në rekrutim të pozitave të larta drejtuese.

Komisioni vendor i vlerësimit ka nënshkruar raportin përfundimtar duke i rekomanduar Kuvendit vetëm nga një kandidat për secilën pozitë, pra një për kryetar të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) si dhe katër kandidatë për katër vendet të lira në bordin e OShP-së.

Në raport është përfshirë edhe lista e plotë e kandidatëve të vlerësuar dhe kandidatëve që u tërhoqën, por jo të rekomanduar për kryetar dhe anëtar të bordit të OShP-së.

Në vitin 2016 në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik është ndryshuar neni 100 që parasheh procedurën e emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të OShP-së.

Pika 2 e nenit 100 thotë se Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OShP-së dhe së paku dy kandidatë për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OShP-së, të paktën 90 (nëntëdhjetë) ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve aktualë.

Në pikën 3 të nenit 100 thuhet se organi përzgjedhës i pavarur (pra komisioni vlerësues vendor), themelohet nga Kuvendi dhe përbëhet prej tre gjyqtarëve të emëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ky komision vlerësues është kompetent për rekomandimin e personave për t’u zgjedhur në bordin e OShP-së, si dhe ia dorëzon listën me gjithë kandidatët Kuvendit.

“Kuvendi emëron kryetarin dhe secilin anëtarë të OSHP-së, bazuar në rekomandimin e dhënë nga një organ përzgjedhës i pavarur. Organi përzgjedhës i pavarur interviston, vlerëson dhe klasifikon me pikë kandidatët  bazuar në meritë. Kuvendi emëron kandidatët me pikët më të larta për pozitën e kryetarit dhe për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së. Në çdo rast, organi përzgjedhës i pavarur ia dorëzon Kuvendit listën e plotë të kandidatëve të vlerësuar”, thuhet në pjesën e dytë të pikës 2 të nenin 100.

Qindra tenderë janë bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit që nga 1 prilli kur ky institucion nuk ka bord funksional për t’i shqyrtuar ankesat e operatorëve ekonomikë.

Shfaq më shumë
//ashoupsu.com/4/3473483