Bota

Covid: Rivendosen bllokimet kombëtare në Evropë, nis përballja me valën e dytë

Dy nga ekonomitë më të mëdha të Evropës po rivendosin bllokimet në rang kombëtar në kushtet kontinenti përballet me një rritje të rasteve të koronavirusit dhe vdekjeve.

Nga e premtja, njerëzit në Francë do të lejohen të largohen nga shtëpia vetëm për punë shumë të nevojshme ose për arsye mjekësore. Presidenti Emmanuel Macron tha se vendi rrezikonte të “pushtohej nga një valë e dytë që pa dyshim do të jetë më e vështirë se e para”.

Ndërkohë, Gjermania po vendos një shtetrrethim kombëtar “të butë”. Masat që hyjnë në fuqi të hënën janë më pak të rënda se në Francë, por ato përfshijnë mbylljen e restoranteve, bareve, palestrave dhe teatrove, tha kancelarja Angela Merkel.

Infeksionet po rriten ndjeshëm në të gjithë Evropën, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar e cila të mërkurën njoftoi 310 vdekje të reja dhe 24,701 raste të reja. Në Angli, një studim i ri tregon se pothuajse 100,000 njerëz po preken nga virusi çdo ditë, që çon në presion mbi qeverinë për të ndryshuar politikën e qasjes rajonale.

Në Francë, vdekjet ditore të Covid janë në nivelin më të lartë që nga prilli. Të mërkurën, 36,437 raste të reja dhe 244 vdekje u konfirmuan.

Zyrtarët shëndetësorë gjermanë thanë të enjten se 89 persona të tjerë kishin vdekur në 24 orët e fundit, me një rekord prej 16,774 infeksionesh.