Bota

Covid-19, ashpërsohen masat në Europë

Infektimet në Itali janë prej disa ditësh në të njëjtin nivel dhe kurba rënëse është ndalur. Kjo ka detyruar autoritetet e këtij vendi të ashpërsojnë masat.

Pas vendimit për mbylljen e bareve dhe restoranteve në tre rajone të tjera, të cilat i janë shtuar listës së vendeve me ngjyrë portokalli, Ministria e Shëndetësisë zgjati afatin e mbylljes së resorteve të skive deri më 5 Mars.

Ekspertët thonë se varianti britanik është përgjegjës për gati 18% të rasteve të reja dhe kjo përqindje po zgjerohet, ashtu si edhe në vende të tjera të Europës.

Në Gjermani, infektimet vijojnë në rrugën e rënies së ndjeshme, por autoritetet nuk kanë hequr dorë nga masat e ashpra kundër përhapjes.

Madje Komisioni Europian kritikoi qeverinë Merkel për vendimin e mbylljes së kufijve me Çekinë dhe Austrinë për ndalimin e përhapjes së mutacioneve të reja nga këto vende.

E ashpër me masat është edhe Britania e Madhe që fut në karantinë 10 ditore me shpenzimet e tyre, qytetarët që vijnë nga 33 vende të ndryshme të botës, kryesisht nga Afrika, Amerika Latine dhe Portugalia si i vetmi vend europian i kësaj liste. Franca vijon të ketë numrin më të lartë të infektimeve ditore në Europë.