Kosova

Coronavirusi, situata në Prishtinë, Ahmeti: Ka paqartësi në disa vendime që prekin bizneset, por nuk ka vend për panik për ushqime

Komuna e Prishtinës ka numrin më të madh të banorëve në nivel vendi dhe numrin më të madh të qarkullimit të njerëzve dhe veturave brenda ditës. Telegrafi ka intervistuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, më të cilin kemi biseduar për situatën momentale në kryeqytet, ekonominë lokale por edhe për shërbimet që ofron kjo komunë pas gjendjes emergjente të shpallur Qeveria e Kosovës për pandeminë COVID-19.

Ahmetit thotë se Komuna e Prishtinës është e gatshme për tu ballafaquar me këtë situatë, por duhet një koordinim më i madh nga të gjitha palët.

Sipas tij, ka paqartësi në disa vendime që prekin kryesisht bizneset, por beson që këto do të qartësohen së shpejti.

TelegrafiZ. Ahmeti, pas shpalljes së gjendjes emergjente nga ana Qeverisë, cila është gjendja në kryeqytet – a keni kontakt me Qeverinë?

Ahmeti: Ne si komunë i kemi marr të gjitha masat që të jemi sa më të përgatitur, edhe për të respektuar vendimet e qeverisë, por edhe për të zbatuar planin tonë.  Kemi ndërmarrë dezinfektime të plotë hapësirave, sistemi shëndetësor primar është gati si edhe kemi reduktuar stafin e komunës duke mos ndërprerë asnjë shërbim komunal.  Kemi inspektuar biznese e po ashtu kemi zhvilluar fushatat tona që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

TelegrafiDeri tash njerëzit i janë përgjigjur vendimit për të mos dalë në hapësira publike, duke qëndruar në distancë etj etj – por dje kishte njerëz në sheshin e Prishtinës,  madje edhe pa maska?

Ahmeti: Në masë të madhe apelet tona për me i reduktu daljet në vetëm ato që janë të domosdoshme janë përfillur nga qytetarët, prandaj unë si kryetar i falënderoj tej mase.  Ne duhet të gjejmë në mes të dy ekstremeve, njëri i cili thotë që duhet të mbyllemi hermetikisht, dhe tjetri i cili thotë se kjo është një konspiracion dhe nuk ka rrezik.  Pra ne duhet të kujdesemi që të dalim sa më pak por të kujdesemi edhe që mos ta stopojmë jetën totalisht. Prandaj edhe sot ju bëjmë thirrje që të dalin sa më pak por ata që e kanë domosdoshmëri të kujdesen që të kenë sa më pak kontakte të panevojshme dhe ti shmangemi tubimeve apo qëndrimit në hapësira të mbyllura me më shumë njerëz.  Duhet ta kuptojmë që virusi e ka përhapjen e lartë, por vdekshmërinë e ulët. Qëllimi është që ta ngadalësojmë përhapjen në mënyrë që sa më pak njerëz ta kenë.

Telegrafi: A ka furnizime të mjaftueshme në komunën e Prishtinës dhe a ka ndonjë ankesë të deritashme?

Ahmeti: Ka dhe jo vetëm Prishtina por e gjithë Kosova.  Mungesat krijohen kur krejt njerëzit e bëjnë veprimin e njëjtë në të njëjtën kohë.  Ne nuk po hajmë bukë më shumë se ditëve tjera kur kemi pas furnizimin e njëjtë, por njerëzit në kohë paqartësie furnizohen më shumë se që duhet në të njëjtën kohë dhe kjo krijon mungesa afatshkurtra ndonjëherë.  Besoj që qeveria duhet të merret në mënyrë më aktive me këtë çështje dhe në dispozicion i ka edhe rezervat për të menaxhuar krizat e përkohshme në qoftë se ndodhin.

Telegrafi: Ka pasur shumë reagime për paqartësinë e vendimeve sidomos për temat ekonomike, për bizneset- a ka probleme të tilla në Prishtinë?

Ahmeti: Ka ende paqartësi, megjithatë është situatë e jashtëzakonshme dhe do të qartësohet dita ditës.  Qeveria ka marr vendim që restorantet, kafeteritë e qendrat tregtare të mbyllen por ka lejuar shitjen e ushqimit në biznese mikës.  Pra furrat mund të shesin kafe por jo të shërbejnë atë në tavolina.  Kjo ka krijuar paqartësi dhe unë besoj që ditëve në vijim do të qartësohet edhe kjo pikë.  Pjesa tjetër ekonomike është më problematike.  Masat restriktive kufizojnë aktivitetin ekonomik dhe do të ketë humbje.  Në fund një pjesë e punëtorëve nuk do të marrin paga në qoftë se nuk punojnë dhe kjo do të thotë se edhe faturat mund të jenë të papaguara.  Ka kredi të shumta të cilat nuk janë adresuar sa duhet nga BQK.  Këto duhet të përcillen me masa stimuluese ekonomike nga qeveria, përndryshe mund të kemi pasoja më vonë.

Telegrafi: Në çfarë kapacitete punon komuna e Prishtinës dhe a janë duke u ofruar shërbimet komunale?

Ahmeti: Të gjitha shërbimet vazhdojnë edhe pse me staf të reduktuar.  Disa gjëra që nuk janë urgjente, si takimet me qytetarë për leje janë pezulluar në këtë periudhë.

Telegrafi: Një numër i bizneseve në Komunën e Prishtinës janë biznese të shërbimeve, si restorante, hoteleri, kompani të ndryshme të marketingut, konculencës etj etj – a ka ndonjë fond që mund të ketë komuna tu ndihmoj në të ardhmen – nëse kjo vazhdon si krizë kështu?

Ahmeti: Ne nuk kemi instrumente për ndihma të tilla.

Telegrafi: Jemi duke parë që jeni duke bërë dezinfektimin e rrugëve, hapësirave publike, autobusëve, por a po bëhet edhe dezinfektimin në hyrje të banesave?

Ahmeti: Dezinfektimi i hyrjeve po bëhet në ndërtesat të cilat i kemi nën menaxhim ne përmes NPB.  Jemi duke shqyrtu edhe mundësitë tjera.

Telegrafi: Për fund, a ka nevojë për panik, cili është mesazhi juaj si kryetar i Prishtinës?

Ahmeti: Natyrisht se jo.  Edhe statistikat edhe situata na tregon se nuk ka vend për panik./Telegrafi/

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.