Kosova

Çorapet e punuara me shtiza që sollën bukë në tavolinë

Emine Tahiri është gruaja nga Mitrovica, e cila për të ndihmuar financiarisht familjen e saj, thurte çorape.

Për të, thurja me shtiza ka filluar 50 vjet më parë, punë, të cilën thotë se gjithsesi do t’ia trashëgojë vajzës, nuses e edhe mbesave të vogla.

Çorapet e para të thurura me shtiza, në atë kohë, i shiti 5 marka gjermane. Me vlerën që kishin, ajo thotë se arriti të siguronte darkën e asaj nate, raporton emisioni “SOT” i KTV-së.

E befasuar nga kjo, ndonëse thurjen me para e mendoi për një kohë afatshkurtër, Eminja rrëfen se që atëherë nuk është ndalur së punuari. Madje, përveç në shtëpi, ajo thotë se thur edhe në makinë, gjatë kohës së udhëtimeve me familjen e saj.

Nga një çorape në ditë, për të kontribuar në familje erdhi deri te hapja e punëtorisë “Gratë e Minatorëve”, në të cilën ka punësuar 14 gra të tjera.

Sipas saj, punëdorja në krahasim me tash, dikur ka qenë më e vlerësuar.

Punën e saj, Eminja e ka ekspozuar gjatë viteve edhe në panaire të ndryshme. Çorapet, dorëzat, jelekët për meshkuj e femra i thur në bazë të preferencës/dëshirës së klientëve. Dikur materialin e siguronte personi që e bënte porosinë, ndërsa sot materialet i blen vetë ajo.

Një ndër vendet për të siguruar materialin e duhur (lëmshet) për thurje, është dyqani i Zymrie Fetës në Tregun e gjelbër në kryeqytet.

Produkte për shitje në biznesin e saj përveç çorapeve të punuara nga ajo, janë edhe tjerri sintetik, me përqindje të leshit, tjerri i perit, lëmshet e shumë materiale tjera. Të gjitha këto vijnë në ngjyra të ndryshme.

Sipas Zymries, kërkesat për blerje të materialeve i ka më shumë nga gra të moshës së mesme dhe atyre të shtyrë.

Mundësitë për veshje sot janë nga më të ndryshmet, çka e bën më të vështirë që të ardhurat nga kjo punë të jenë të larta. Mirëpo, që të dy gratë pohojnë se të punuarit me shtiza, iu ndihmon ta kalojnë kohën dhe ky për to është fitimi më i madh.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.