Kombëtare

Conte-Salvini falenderojnë Ramën për mjekët: S’do ta harrojmë! Italianët: Sot ndihemi të paguar për shërbimin që kemi bërë në Shqipëri

Kryeministri i Italisë, vendit më të prekur nga koronavirusi në botë, Guiseppe Conte, falenderoi sot kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për dërgimin në ndihmë të 30 mjekëve dhe infermierëve që arritën dje përtej Adriatikut. Në postimin e bërë në facebook Conte i drejtohej Ramës me ‘faleminderit’. Ndërkohë që edhe kreu i LEGA-s, ish-ministër i Brendshëm, Matteo Salvini ka telefonuar kryeministrin shqiptar duke e falenderuar. “Keni demonstruar një ndjeshmëri dhe një bujari që nuk do ta harrojmë” tha Salvini, ndër të tjera, që ka premtuar se kur të mbarojë emergjenca do të bëjë një vizitë në Shqipëri.

Të shumta kanë komentet edhe të qytetarëve italianë. Disa prej tyre shkruajnë: “Do e mbajmë mend këtë gjest të madh të Shqipërisë! Faleminderit! Ashtu siç nuk do të harrojmë dredhitë e mëdha të vendeve të tjera. Faleminderit juve që u zbuluat kush ishit.” Rosella Colombo, një tjetër qytetare është shprehur se “është e mrekullueshme të dëgjosh këto fjalë. Leksione të mëdha për disa vende”.

“Kryeministri Conte të dalim nga kjo europë, që në momentin e nevojës rezultoi edhe njëherë e panevojshme. U soll më mirë Shqipëria se sa vende të tjera të pasura,”– ka thënë Fabio Amico, një tjetër qytetar italian. Giovanni Navarra është shprehur se “kam shërbyer në 1991 (në operacionin Pelikan) në Shqipëri. Mision paqeje si vullnetar. Sot me këtë gjest të Shqipërisë ndihem shumë i paguar për atë që kam bërë. Do ta bëja edhe mijëra herë të tjera”. “Të vjetërit i japin leksione të mëdhenjve. Faleminderit Shqipëri”,,-ka thënë Luigina Saracino, një tjetër qytetare italiane.

“Edhe unë kam lindur nga prindër të huaj dhe e dashuroj thellësisht këtë vend, por duke njohur shumë shqiptare mund të konfirmoj se nuk ekzistojnë të huaj të tjerë që e adhurojnë Italinë më shumë sesa e adhurojnë ata,”- shprehet një tjetër qytetare.