SPORT

Conte i pakënaqur që do të luajë pa shikues kundër Juventusit

Trajneri i Interit, Antonio Conte, ka thënë se nuk është mirë që klubi i tij është detyruar të luajë pa shikues ndeshjet e radhës në Ligën e Evropës dhe Serie A, për shkak të shpërndarjes së koronavirusit në Italit. 

Interi e pret Ludogoretsin të enjten në ndeshjen e kthimit të 1/16 së finales të Ligës së Evropës, para se të udhëtojë në Torino për të luajtur me Juventusin në Serie A. Të dy ndeshjet do të jenë pa shikues. 

“Nuk është mirë, pasi futbollit i duhet publiku dhe atmosfera. Atmosfera është gjëja më e bukur në futboll”, ka thënë Conte për Sky Sport Italia, transmeton Koha.net. “Duke e thënë këtë, ne duhet t’i përmbahemi vendimeve të marra nga autoritetet shëndetësore. Shpresoj që çdo gjë do të kthehet në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur”. 

Interi ka një epërsi prej 2:0 nga ndeshja e parë kundër Ludogoretsit Ndërkohë në Serie A, zë vendin e tretë, gjashtë pikë prapa liderit Juventusit, por një ndeshje më pak të luajtur. Ndeshja e të dielës mes Interit dhe Sampdorias ishte shtyrë për shkak të koronavirusit. 

“Në fund të këtij cikli do të shohim se çfarë ambicie mund të kemi, në çfarë pozite do të jemi”, ka thënë COnte. 

Qytetet në veri të Italisë janë izoluar për shkak të përhapjes së koronavirusit. Janë regjistruar 374 raste dhe 12 persona kanë humbur jetën. 

Përballja në Torino në fundjavë, nuk do të jetë e vetmja në Serie A  që do të luhet pa shikues. Pa shikues do të luhen edhe ndeshjet Udinese – Fiorentina, Milan – Genoa, Parma – SPAL, Sassuolo – Brescia dhe Sampdoria – Verona. 

Tifozët e Juventusit u lejuan të udhëtonin në Francë për të shikuar ndeshjen e sotme të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Lyonit.