OPINION

Çmitizimi i mitit

Shkruan: Bajram MJEKU
Ndodhi në vitin 1971. Një grup patriotësh entuziastë, vendosi të bënte zhvarrimin e eshtrave të kryengritësit shqiptar, Azem Galica. Kur ai ra në vitin 1924, bashkëluftëtarët e tij vendosën që trupin e tij ta varrosnin fshehtas në një hon të thellë me emrin Shpella e Përçevës, me qëllim që serbët të mos dinin për varrin e tij.

Dyzeteshtatë vjet pas rënies së Galicës, entuziastët u lëshuan me litar në honin rreth shtatëdhjetë metra i thellë. Nxorën eshtrat e kryengritësit për t’i rivarrosur në vendlindjen e tij në Galicë. Kur eshtrat u nxorën nga honi, u çmitizua edhe miti për Galicën. Entuziastët bënë gabimin e radhës. Në vend që të organizohej menjëherë ceremonia e varrimit, eshtrat e Galicës i vendosën në një arkë druri dhe i futën në dollapin e një kulle në Përçevë. Eshtrat qëndruan pesë ditë pa u varrosur. Prishtina zyrtare kinse shprehte shqetësim: Në rast se vonon rivarrimi thoshin, zyrtarët serbë mund t’i dërgojnë eshtrat për ekspertizë ligjore në Beograd!

Shërbimi Sekret serb, sajoi skenarin për stërkeqjen e mitit për Galicën. Skenarin e improvizoi përmes një situate imagjinare. Qëllimi ishte të godiste personalitetin e Azem Galicës në njërën anë dhe të tallej me patriotët entuziastë të ekspeditës së zhvarrimit në anën tjetër. Skenari i Shërbimit Sekret serb ishte ky:

Subjekti: Kinse eshtrat e Azem Galicës pas zhvarrimit janë vendosur në ambientet e motel “Nora” në Klinë deri ditën e rivarrimit.

Personazhet: Fadil Hoxha e Veli Deva, dy ish-funksionar komunistë me origjinë nga Gjakova. Sipas skenarit, dy funksionarët e lartë nga Gjakova urrenin Drenicën për vdekje!

Vendndodhja: Motel “Nora” në Klinë.

Data: 22 maj, 1971. Dita kur u zhvarrosën eshtrat e Azem Galicës.

Koha: Mbrëmje rreth orës 22:00.

Mënyra e bisedës: Përmes telefonit.

Mënyra e shfaqjes: Shpërndarja e informatës jo përmes mjeteve zyrtare të informimit, por sipas metodës vesh më vesh. U kujdesën që mbrapa improvizimit të mos mbeteshin njolla dyshimi. Veli Deva kinse u akomodua në njërën nga dhomat e motelit në Klinë dhe Fadil Hoxha në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Deva kinse i telefonon Hoxhës dhe improvizimi i bisedës bëhet pak a shumë kështu:

V. DEVA: Mirëmbrama shoku Fadil. Si kalove sot?

F. HOXHA: Mirë… A je në Prishtinë?

V. DEVA: Jo… Jam në motel Nora në Klinë!

F. HOXHA: A kthehesh sonte?

V. DEVA: Jo. Kurrë më i sigurt se sonte nuk kam qenë. Do t’bëj konak me Azem Galicën!

https://www.facebook.com/photo?fbid=10161032369203868&set=a.10150467874923868