SPORT

Çka po ndodh në fund të kampionatit dramatik?!

Tahir Batatina dhe Llapi e kanë humbur luftën për titull të kampionit të Kosovës bashkë me humbjen e pësuar të shtunën e kaluar nga FC Prishtina. Mirëpo, llapjanëve pas asaj ndeshje u ka dalë punë me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas derbit të së shtunës e kishte akuzuar FFK-në për përkrahje të FC Prishtinës në luftë për titull. Ndërsa, për FC Prishtinën kishte thënë: “Prishtina nuk do të bëhet kampion dhe nuk besoj që do të bëhet”.

Për këto deklarata Komisari i Garave i FFK-së ka hapur procedurë disiplinore nga ndaj Batatinës. FFK-ja nuk e ka sqaruar mirë arsyetimin e hapjes së kësaj procedure disiplinore.

Nuk dihet nëse pjesa e deklaratës së Batatinës (“Prishtina nuk do të bëhet kampione dhe nuk besoj që do të bëhet”) është marrë në FFK si paralajmërim se Llapi do t’i ndihmoi Feronikelit në luftë për titull kundër Prishtinës, apo jo. Por, Komisioni i Grave i referohet me theks të veçanë kësaj pjese të deklaratës.

“Ndaj kryetrajnerit të KF Llapi, Tahir Batatina. Motivi: Deklarata e dhënë për media pas ndeshjes Prishtina – Llapi, ku bën thyerje dhe shkelje të etikës sportive, duke deklaruar se “Prishtina nuk do të bëhet kampion dhe nuk besoj që do të bëhet”. Sipas tij” fajin për këtë e mbajnë krerët e FFK-së me bashkëpunëtorët e tyre. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes dhe incizimit televiziv. Sipas nenit 93, paragrafi 1, pika 6 e rregullores disiplinore”, thuhet në njoftimin jo fort të sqaruar që e ka lëshuar FFK-ja.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me Ismet Ahmetin, kryetarin e Komisionit Disiplinor, por kontakti me të ishte i pamundur. Kurse, krerët e FFK-së ishin në mbledhje të Komitetit Ekzekutiv.

Feronikeli i ka veç dy pikë më shumë se Prishtina. Kjo e fundit e pret të mërkurën Trepçën ’89, kurse Feronikeli do ta vizitoi Llapin, i cili matematikisht ende është në garë për titull, por praktikisht duket mision i pamundur. Në xhiron e fundit Feronikeli e pret Prishtinën në Drenas.

Sidoqoftë, Gazeta Express merr vesh se FFK-ja si asnjëherë më parë i ka kushtuar vëmendje fundit dramatik të kampionatit, ku mund të vendos gjithçka edhe një detaj. Bëhet e ditur se kampionati po monitorohet edhe nga një kompani e kontraktuar nga UEFA që i monitoron kampionatet e shteteve anëtare të UEFA-s në kërkim të kurdisjeve, ku pastaj UEFA godet me dënime të ashpra.

Leave a Reply

Your email address will not be published.