Kosova

Çka ndodhi me të dyshuarin/ Preu në besë familjen e hallës në Gjakovë, vrau dhëndrin e ia plagosi djalin

Një krim kishte ndodhur në familjen Mulaj nga fshati Bardhaniq i Gjakovës, verën e këtij viti. Vilson Imeraj nga Tropoja i cili po qëndronte si mysafir në këtë familje, në mesnatë kishte vrarë me thikë kuzhine kryefamiljarin, i kishte plagosur hallën dhe djalin 23-vjeçar të çiftit. 

I dyshuari po qëndron në paraburgim. Prokuroria po  pret ekzaminimin psikik të tij, derisa dëshmitarët nuk janë intervistuar për shkak të lëndimeve dhe traumave që kishin marrë në mbrëmjen e 7 korrikut.

Mesnatën e 7 korrikut të këtij viti, tre anëtarë të familjes Mulaj nga fshati Bardhaniq i Gjakovës janë sulmuar me thikë kuzhine nga miku që po mbanin në shtëpi.

Kryefamiljari Ndue Majku kishte mbetur i vdekur në vend. Bashkëshortja e tij kishte marrë plagë më të lehta, derisa djali i tyre 23-vjeçar po luftonte për mbijetesë nga plagët e marra.

I dyshuari Vilson Imeraj nga Tropoja i cili po qëndronte në familjen Mulaj si mysafir, pas krejt këtij krimi kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Ai gjatë ditës ishte arrestuar, dhe që nga ajo kohë po qëndron në paraburgim.

Prokurori i rastit, Ali Uka, ka treguar ëpr Gazetën Express se deri ku kanë shkuar hetimet rreth këtij rasti.

Uka tregoi se po pritet ekzaminimi psikiatrik i të dyshuarit.

“I dyshuari gjendet ende në paraburgim. Jemi duke e pritur ekzaminimin psikiatrik të tij. Kemi ndërmarrë edhe veprime të tjera por që nuk mund të flasim për shkak të hetimeve”, ka thënë Uka.

Uka shtoi se dëshmitarët nuk janë intervistuar ende, për shkak të traumave që kanë marrë nga rasti.

Ai tha se po pritet që dëshmitarët, të cilët ishin plagosur me thikë nga i dyshuari, të rikuperohen për të dëshmuar.

“Njëri prej të lënduarve ka qenë në gjendje shumë të rëndë për shkak të plagëve që i ka marrë kur i dyshuari e ka plagosur me thikë. Po presim derisa të rikupoerohet. Është ende i traumatizuar dhe nuk është në gjendje të deklarohet. Gruaja ka pasur lëndime më të lehta, por edhe ajo është me tronditje nga rasti. Nuk janë intervistuar për shkak të këtyre rrethanave”, ka deklaruar Uka.

Si kishte ndodhur e tërë ngjarja

Tragjedia në familjen Mulaj nga Bardhaniqi i Gjakovës ka ndodhur mesnatën e 7 korrikut të këtij viti.

I zoti i shtëpisë ka vdekur si pasojë e plagëve, e djali i tij ishte dërguar në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.  E plagosur kishte mbetur edhe gruaja e viktimës.

E për krejt këtë krim, i dyshuar kryesor është nipi i zonjës së shtëpisë.

Gazeta Express të martën e 7 korrikut ka qëndruar në familjen Mulaj, nga ku kishte sjellë detaje të cilat i kishin treguar familjarët e viktimave dhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Kishte ardhur nga Shqipëria në Kosovë rreth tri ditë më parë para ditës së krimit. E në konak të hallës, Vilson Imeraj, po dyshohet se theri me thikë hallën, burrin e djalin e saj.

Krejt këtë krim, i dyshuari rreth 21 vjeç, dyshohet se e kreu rreth orës 03:00 të mëngjesit të së martës së 7 korrikut.

Me një çekan theu derën e dhomës së çiftit, ku hyri dhe i theri me thikë hallën dhe burrin e saj.

Të zotin e shtëpisë e la të vdekur në korridor të shtëpisë.

E më pas hyri në dhomën e 23-vjeçarit të cilin e theri me thikë. 23-vjeçari Mark Mulaj, kishte tentuar të ikte, por nuk ia kishte dalë.

Krejt tragjedinë në familjen Mulaj, e kishte parë edhe djali 7-vjeçar i kësaj familjeje, të cilin nëna e tij e kishte fshehur nën shtrat, për ta shpëtuar.

Vëllai i viktimës, Kristë Mulaj, ka treguar se për krejt këtë ngjarje u njoftua nga djali i vëllait, Marku, i cili është i plagosur.

“Më ka lajmërua Marku në orën 3 të mëngjesit. Kur kam ardhë Markun e kam gjetë të plagosun e Ndoun të vdekur. Ai që e ka bërë këtë ka qenë mysafir, është nipi i gruas së Ndout. E kanë mbajtë si djalin e vet, ka qenë edhe përpara. Është me origjinë nga Tropoja”, tha për Express vëllai i viktimës.

“Këta kanë qenë në gjumë, u ka hy në dhomë dhe i ka therë me thikë. Raportet i kanë pasur të mira, mos me i pasë nuk e kish mbajtë në shtëpi, aty ku i ka mbajtur edhe fëmijët e vet”, ka thënë vëllai i viktimës.

E pas krejt këtij krimi, i dyshuari V.I. kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Nga aty kishte shkuar në Deçan dhe ishte futur në një shtëpi.

Pronari i shtëpisë ku kishte shkuar i dyshuari ka lajmëruar policinë, të cilët kanë shkuar dhe e kanë arrestuar të dyshuarin.

Prokurori i rastit, Ali Uka, ka treguar për Gazetën Express se rrethanat e këtij rasti ishin ende të panjohura për Prokurorinë.

“Bashkë me njësitin e hetimeve rajonale kemi shkuar në vendin e ngjarjes. Aty e kemi kuptuar se viktimë e rastit është̈ N.M. 60-vjeçar. Lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja D.M. 46 vjeç dhe djali M.M. i moshës 23-vjeçare. Deri më tani nuk dihen motivet e këtij rasti”, ka thënë Uka.

Uka deklaroi se i dyshuar është Vilson Imeraj, i moshës rreth 21-vjeçare, nga Shqipëria.

“I dyshuar për këtë rast është Vilson Imeraj rreth 21-vjeçar nga Republika e Shqipërisë. Në vendngjarje ka qenë edhe mjekësia ligjore, trupin e pajetë të viktimës e kanë dërguar në IML në Prishtinë”, ka thënë Uka.

Uka tha se i dyshuari i cili kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte shkuar në Deçan, është intervistuar dhe e ka pranuar veprën.

“I dyshuari fillimisht ka ikur dhe ka shkuar në një fshat të Deçanit, ka hyrë në një shtëpi. Pronari i asaj shtëpie e kanë lajmëruar policinë, më kanë lajmëruar mua për vendndodhjen e tij. Atë e ka sjellë policia e Deçanit. Është intervistuar, faktikisht e ka pranuar veprën, por ka thënë se ka pasur presion nga viktima, e ka pranuar veprën në pika të shkurta”, ka thënë Uka.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin, masë kjo e cila është ende në fuqi. Veprat që rëndojnë mbi të janë “Vrasje e rëndë” dhe “Tentimvrasje”.