Kosova

Çka i dorëzoi Komandanti i KFOR-it Kryeministrit Kurti në takimin e sotëm dhe për çka biseduan? (Foto)

Publikimi i marrëveshjes së fshehtë ndërmjet ish-kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, tash president i vendit, dhe KFOR-it, nxiti reagime të shumta në opinionin publik – shkruan Kosova.info

Një ditë pas, Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Haki Abazi, kanë pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi, i shoqëruar prej asistentit të tij ushtarak, kolonel lejtnant,  Dario Paduano, dhe këshilltarit të tij politik, z. Alexander Aalmo.

Në një atmosferë shumë miqësore u rikonfirmua përkushtimi për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, përbrenda mandateve që kanë. Kryeministri shprehu falënderimin në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës. Po ashtu, ai vuri theksin në qëllimin e integrimit të Kosovës në NATO si aspiratë që do të realizohet domosdoshmërisht në të ardhmen. Në këtë fazë, bashkëpunimi i KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë

Komandanti i KFOR-it theksoi se nën mandatin e tij të OKB-së, KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës. Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimin për koordinim institucional në interes të sigurisë në Kosovë.

Më pas, Komandanti i KFOR-it e njoftoi Kryeministrin se, nën mandatin e KFOR-it, dhe në kuadër të përgjegjësive të menaxhimit të hapësirës ajrore të autoriteteve të NATO-s, me ndihmën e Hungarisë dhe Islandës, po vazhdojnë përpjekjet për hapjen e korridoreve të reja ajrore.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën edhe një herë gatishmërinë për derë të hapur për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Komandanti i KFOR-it i dorëzoi kryeministrit Stemën e Komandantit të KFOR-it./Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483