OPINION

Çka fshihet pas kuvendit “zgjedhor” të LDK-së!?

Shkruan: Florim ZEQA
Është kjo enigmë që nuk e dinë shumica nga 355 delegatët e LDK-së që ngritën duart për riemërimin e kryetarit dhe strukturave aktuale partiake, sikurse që nuk e kuptojnë shumica e elektoratit çfarë ka ndodhë në prapaskenat e këtij kuvendi që më paku mund të quhet zgjedhor.

Kuvendi i lX-të i LDK-së e vërtetoi se LDK mbeti e bllokuar në labirintin e klanit “Riinvest” dhe klikës së vjetër e cila në asnjë rrethanë nuk dëshiron të krijojë hapësirë për ndryshime dhe reformim të thellë të partisë. Ndryshimet e lehta kozmetike dëshmojnë se kjo parti nuk është e denjë për qeverisjen e vendit.

Edhe pas kuvendit të IX-të u vërtetua se LDK është dhe do të mbetët edhe për një kohë më të gjatë filiale e PDK-së dhe klanit “Pronto”, shkaku i lidhjeve korruptive dhe familjare në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar.

Pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president me votat e LDK-së, pata deklaruar se “shumicën e deputetëve të LDK-së nuk i ngrohë as dielli pa Hashim Thaçin”.

Ndërsa sot po përsërisë, se shumicën nga 355 dele(gat)et e kuvendit zgjedhor të LDK-se nuk i ngrohë as dielli pa Isa Mustafen, shkaku i lagies së gjatë në shtratin e PDK-së!

Nga të lagurit në shtratin e PDK-së janë ish ministra, ish zv. ministra, deputet, kryetar komunash, zyrtarë të lartë e të ulët të LDK-së së familjarizuar me qeverisjen e PDK-së në këto 11 vjetët e fundit.

Aklamacionistët e LDK-së, me ose pa vetëdijen e tyre  më 3 gusht votuan për lidhjen e kurorës së re qeverisëse me PDK-në (të tretën më radhë).

Pikërisht në këtë pikë konsiston uniteti i kuvendit të IX-të e jo në unifikimin e LDK-së si tërësi siç po shtirren të uriturit e pushtetit.

Vardisja pas kryetarit të rinominuar e ish “kundërshtarëve” dhe të rebeluarve të rrejshëm kundër Isa Mustafës për kryetar të LDK-së, vërteton mashtrimin e madh dhe tradhtinë që i është bërë elektoratit rugovian në kuvendin e fundit zgjedhor.

Secili njeri e ka një fytyrë, ndërsa Vjosa e ka më shumë se një

Shkuarja e të rebeluarës së rrejshme Vjosa Osmani në takim me ambasadorin amerikan Philip Kosnett bashkë me kryetarin e ri-emëruar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafën, i vërteton pohimet e mësipërme.

Është pikërisht kjo Vjosa Osmani, që vite më parë kishte hedhur akuza të rënda ndaj Isa Mustafës, duke e quajtur njeri të Thaçit e Veselit, si dhe rasti tjetër i të njëjtës kohë, kur Vjosa në rrjetin social Facebook, kishte deklaruar se Hashim Thaçi me anë të mimikave fliste diçka me Isa Mustafën. 

“Njeriu që me një lëvizje të vetullave të Thaçit kërcente përpjete për t’ju vërsulur deputetëve të tij. Kush po na flet për instruksione? Ai që ato instruksione i merr nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dhe për këtë madje mburret. Njeriu për të cilin Thaçi na qenka shteti, dhe parandalimi i bërjes së Thaçit president, çuditërisht na qenka rrënim i shtetit”.

Është pikërisht kjo Vjosa Osmani që po i vardiset sot Mustafës që e kishte thënë edhe këtë për të: “Për frikësim po na flet njeriu që nuk ndihet mirë të pijë kafe e të takohet me qytetarë nëpër Kosovë se mos po takohet me ndonjë nga votuesit e LDK-së, të cilët i tradhtoi dhe vazhdon t’i tradhtojë. Por nuk ndihet i lirë as tek ata që e mbajtën në Gjermani e gjetiu në diasporë, sepse ua mbylli derën veprimtarëve shumëvjeçarë të diasporës në LDK, të cilën e kishin mbajtur partinë tonë dhe Kosovën gjallë” (përfundojnë citatet e Vjosa Osmanit).

Ndërsa tani, pas rizgjedhjes së Mustafës në krye të LDK-së, kur emri i saj është lakuar si kandidatë për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me PDK-në, ajo na paraqitet me një fytyrë tjetër!

Duhet kujtuar lexuesve se, pas ardhjes së PDK-së në pushtet, përkatësisht të ardhjes së Hashim Thaçit në krye të ekzekutivit, Vjosa në njërën anë deklarohej për kapje të shtetit nga PDK-ja, ndërsa në tjetrën punësonte familjarët e saj në qeverinë e Thaçit.

Vjosa Osmanit me lidhjet e fshehta që mbanë prej kohësh me drejtuesit e lartë të PDK-së, ajo shumë vite më parë (nga koalicioni i parë PDK-LDK)  kishte punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme burrin e saj, Prindon Sadriun, i cili ditëve të fundit është graduar kundërligjshëm “Ministër” nga qeveria aktuale, ku Prindon Sadriu do të shërbejë në misionin diplomatik të Kosovës në Shkup të Maqedonisë Veriore me mandat 4-vjeçar,…për të vazhduar me punësimet e familjarëve të saj përmes pushtetit të PDK-së, siç ishte rasti i fundit i Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është njëra ndër 20 personat të cilët janë punësuar në konkursin e fundit për inspektor tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës.

Këto janë fakte që nuk mund t’i mohon Vjosa Osmani, janë edhe shumë çështje tjera që konsiderohen më shumë spekulative edhe pse mund të jenë të vërteta, siq ishte rasti i zgjedhjeve të fundit nacionale, ku Vjosa Osmani u futë në momentet e fundit (numër 81) në listën zgjedhore të LDK-së me interferim jashtë radhëve të LDK-së…

Mirëpo kjo nuk i kishte prishë punë aspak Vjosës dinake, ajo përmes mashtrimit dhe personalitetit të dyfishtë, duke i mbajtur këmbët në LDK dhe trupin në PDK arriti t’ua rrëmbej votat e elektoratit rugovian në disa palë zgjedhje.

U zgjata pak me Vjosën, por ishte më se e nevojshme për t’i sqaruar elektoratit kosovar për prapaskenat e tmerrshme të partive politike dhe politikanëve në përgjithësi në prag të zgjedhjeve nacionale, siç ndodhën në kuvendet e dy partive, më shumë partnere sesa rivale PDK e LDK, këtij binomi më shumë shtetrrënues sesa ndërtues të një shteti të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.

Vjosa nuk është e vetmja, ka edhe shumë të tjerë që janë vetëm figurativisht në LDK, ndërsa në anën tjetër argatin i bënë djallit për interesa personale e klanore.

Zgjedhjet antidemokratike, bumerang për LDK-në

Kreut udhëheqës të LDK-së do t’i kthehet bumerang në zgjedhjet e parakohshme abuzimi dhe mos përfillja e vullnetit të elektoratit për ndryshime substanciale. Ndryshimet e lehta kozmetike dhe mos vënia e vijave të kuqe për një koalicion të ri me PDK-në, dëshmojnë se kjo parti nuk është e denjë për qeverisjen e vendit. 

Mos vënia e vijave të kuqe dhe paqartësia e LDK-së në prag të procesit të jashtëzakonshëm zgjedhor, tregon se LDK e PDK më shumë janë partnere sesa rivale në politik-bërjen e vendit. 

Pas kuvendit të IX-të, të ashtuquajtur zgjedhor të LDK-së, fshihet martesa e re, përkatësisht kthimi i LDK-së në shtratin e PDK-së. 

Bazuar në këto që ceka më sipër, pritjet janë që LDK-ja do të pësojë fiasko zgjedhore shkaku i ndëshkimit nga elektorati i saj. Arsyet e këtij ndëshkimi janë të shumta, por para së gjithash janë të aspektit socio-ekonomik.

Përderisa zyrtarët e lartë të LDK-së punësojnë familjarët e tyre në pushtetin e PDK-së dhe gëzojnë privilegje nga i njëjti pushtet, familjet e anëtarësisë së gjerë të LDK-së jetojnë në varfëri ekstreme shkaku i denigrimit social që ua bëri pushteti përgjatë 11 viteve të fundit.

“E treta e vërteta”, e thotë populli, pa dyshim se pas lidhjes së të tretë të kurorës qeverisëse PDK-LDK, elektorati i LDK-së do të shkëputët përfundimisht nga klani “Riinvest”, nga klani i cili rrënoi çdo vlerë rugoviane në LDK.

Mbase vetëm ndëshkimi me votën e lirë do t’i bëjë që të vetëdijesohen krerët e kësaj partie, të cilët i kanë ngufatë reformat dhe shprehjen e lirë në LDK.

Sikurse që nuk ndodhi ndryshimi në LDK, nuk do të ndodhë ndryshimi as në nivel vendi pas zgjedhjeve të parakohshme, për shkak të lidhjeve korruptive dhe kriminale që kanë partitë politike me njëra-tjetrën.

Për shkak të mungesës së një alternative të re politike, pas zgjedhjeve të parakohshme do të kemi vetëm rrotacion të pushtetit, por jo ndryshim në mënyrën e qeverisjes së vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.