SPORT

Cimili e Krasniqi tregojnë emocionet dhe sfidat e rrugëtimit të parë të futsallit drejt Botërorit

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka kaluar me sukses fazën e parë të kualifikimeve për Botërorin “Lituania 2020”.

Djelmoshat e Ramadan Cimilit kanë arritur të sigurojnë kualifikimin për në “Main Round” pas dy fitoreve, nga tri të mundshme, të zhvilluara në Minsk të Bjellorusisë nga 30 janari deri më 2 shkurt.

Por, debutimi i Kosovës për Botëror në futbollin e sallës nuk nisi mirë, pasi pësoi humbje prej 5 me 0 nga nikoqiri Bjellorusia. Megjithatë, në dy ndeshjet e radhës në Grupin B përfaqësuesja e Kosovës arriti të këndellet dhe të mposhtë Norvegjinë me rezultat bindës prej 5 me 1, dhe Andorrën me rezultat prej 5 me 3, që i siguroi kualifikimin në fazën tjetër.

Trajneri i Kosovës në futsall, Ramadan Cimili, ka thënë për Koha.net se ishte një rrugëtim i vështirë, megjithatë është ndarë shumë i kënaqur me përgjigjen që lojtarët e tij dhanë në fushë në dy ndeshjet e fundit.

“Pas një rrugëtimi jashtëzakonisht të vështirë dhe të gjatë kemi hasur një kundërshtar si Bjellorusia, për të cilën qysh në fillim kam deklaruar se kam pas informacione se është kandidat serioz. Megjithatë ne kemi bërë një paraqitje të mirë, por prezent në mesin tonë ishte nervoza kur i kemi bërë tri autogola”, është shprehur Cimili, i cili thotë se përkundër humbjes besimi te futbollistët e tij nuk është zbehur dhe këtë ata e kanë dëshmuar menjëherë në ndeshjen e dytë ndaj Norvegjisë.

“Kam pasur besim në djelmoshat tonë dhe në ndeshjen e dytë e kanë treguar karakterin, disiplinën dhe angazhimin maksimal. Mund të them se lojtarët kyçë dhe me përvojë siç janë kapiteni Vahid Krasniqi, pastaj Ramadan Alaj, Dardan Topilla e Jeton Rukovci, kanë pas barrën kryesore dhe me të vërtetë kanë shkëlqyer kundër Norvegjisë duke shënuar fitore me rezultat bindës, 5 me 1”, ka thënë Cimili për Koha.net.

Image

Ai më tutje ka pranuar se ndeshja e tretë ndaj Andorrës ishte mjaft tensionuese dhe ekzistonte frika, por lojtarët me plot meritë arritën të marrin fitoren në këtë përballje.

“Ka qenë e vështirë të kthehet rezultati pas humbjes me Bjellorusinë, por vetëbesimi te grupi ka qenë në nivel të lartë, sidomos me lojën Kosovë – Andorrë ku ndoshta kemi hyrë me një frikë në fillim të lojës ku edhe kemi pësuar 1 me 0, por e kemi kthyer rezultatin në 5 me 3 me plot meritë”, ka deklaruar Cimili, i cili thotë se tani ka kohë mjaftueshëm ta përgatisë ekipin për fazën tjetër drejt kualifikimit për Botëror.

“Kemi kohë të mjaftueshme që të përgatitemi më shumë, nuk do të dorëzohemi sepse kemi cilësi”, ka thënë ai.

Në anën tjetër kapiteni i Kosovës, Vahid Krasniqi thotë se është arritur tani objektivi kryesor, kalimi i fazës së parë. Derisa shton se e dinin kualitetin e Bjellorusisë, por ishin gabimet ato që iu kushtuan në atë takim.

“Mund të them lirisht se kemi arritur ato që i kemi planifikuar. Kemi qenë të vetëdijshëm se lojën e parë kundër Bjellorusisë e kemi shumë të vështirë. Ishte ‘thikë me dy tehe’ për shkak se ne gabuam shumë në fillim, por në pjesë të dytë u munduam t’i kursejmë lojtarët kryesorë për dy ndeshjet e radhës që të sigurojmë kualifikimin”, është shprehur Krasniqi për Koha.net.

Image

Ai ka shtuar se ekipi është me të vërtetë shumë i lumtur për këtë arritje historike të Kosovës.

“Atmosfera është me të vërtetë fenomenale. Ne po ndihemi shumë mirë dhe shumë të lumtur pasi që kemi shkruar historinë, ku për herë të parë Kosova po merr pjesë në Kampionatin Botëror dhe arritëm të kalojmë fazën preliminare”, thotë kapiteni i Kosovës në futsall.

Krasniqi ka folur edhe për ndeshjet e “Main Round”, ku Kosova do të përballet me Ukrainën, Slloveninë dhe fituesin e Grupit C në parakualifikuese që është Maqedonia.

Ai thotë se për ndeshjet e tetorit, Kosova do të përgatitet maksimalisht edhe me ndonjë miqësore dhe do të tentojë të bëjë ndonjë befasi në Ukrainë.

“Synimet tona në Ukrainë janë shumë më sfiduese, por do të mundohemi që kemi lojë miqësore më shumë deri në shtator dhe të përmirësojmë gabimet tona dhe të jemi të gatshëm të bëjmë ndonjë befasi”, u shpreh Krasniqi.

Kujtojmë se ndeshjet e “Main Round” Kosova do t’i zhvillojë më 22-27 tetor.