Kosova

Çim Peka: Kushtetuesja e qartë, ia ndalon kandidimin kujtdo që ka vendim të formës së prerë

Gazetari Çim Peka, ka thënë që Gjykata Kushtetuese ka marrë shkas nga rasti specifik i deputetit Etem Arifi për ta marrë një vendim përgjithësues.

Ai e ka krahasuar rastin e deputetit me aktakuzë, Etem Arifi, vota e të cilit për formimin e qeverisë ishte shpallur e pavlefshme me ç’rast ishte shpërndarë parlamenti, me rastin e (mos)kandidimit të Albin Kurtit për deputet si pasojë e aktakuzës së tij.

“Gjykata Kushtetuese duke marrë shkas nga një rast specifik  ka marrë një vendim përgjithësues”, ka thënë Peka në Rubikon të Klan Kosovës.

“Ankimimi është bërë për një rast por Gjykata Kushtetuese ka interpretuar vetëm ligjin zgjedhor dhe thotë: I ndalohet kandidimi dhe marrja e një mandati nga kuvendi kujtdo që ka ndonjë vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit. Është i drejtë apo jo interpretimi  është debat tjetër, por Gjykata Kushtetuese e ka bërë interpretimin e përgjithshëm andaj Komisioni Qendror i zgjedhjeve nuk është se ka çfarë për të bërë tjetër”, tha më tej ai.

Sipas Pekës, Kushtetuesja mund të gjykohet për vendimet e saj, porse ajo ka qenë mjaft e qartë dhe korrekte në interpretimin e vet sa i përket ligjit zgjedhor.

“Gjykata Kushtetuese  mund të gjykohet për vendimin e saj dhe mund të atakohet pafund sepse Gjykata Kushtetuese që merr kompetencat e parlamentit për të shpërndarë parlamentin unë nuk di vend tjetër në botë se kjo Gjykata Kushtetueseu është marrë me këtë rast ka shkuar shumë më larg, ka shpërndarë parlamentin, në qoftë se është pyetur për nj rast ka shpërndarë parlamentin,

“Por në rastin e të drejtës së kandidimit apo jo, Gjykata Kushtetuese është shprehur edhe përgjithësisht dhe jo vetëm për individin, ka thënë nuk ka të drejtë të kandidojë por as të marrë mandat nga Kuvendi (për deputet) kushdo që është i dënuar me vendim të formës së prerë”.