Bota

Cilin ilaç kundër koronavirusit e ka miratuar me urgjencë Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në ShBA?

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në Shtetet e Bashkuara ka dhënë miratim emergjent për përdorimin e ilaçeve që janë përdorur kundër Malaries te pacientët me koronavirus. Ky vendim erdhi vetëm një javë pasi presidenti Trump tha se këto ilaçe janë dhuratë nga Zoti.

Në një deklaratë të publikuar të dielën, Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore bëri të ditur se janë shtuar rezervat kombëtare të substancave Hidroksiklorokinë dhe Klorokinë, të cilat besohet se janë efektive për trajtimin e koronavirusit.

Ky departament tha se Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e ka lejuar shpërndarjen dhe përshkrimin e këtyre substancave nga mjekët për pacientët e rritur dhe të rinj me Covid-19, ndonëse testet klinike ende nuk janë të mundshme.

Presidenti amerikan javën e kaluar deklaroi se këto dy substanca mund të jenë dhuratë nga Zoti, pavarësisht paralajmërimit të shkencëtarëve kundër mbivlerësimit të trajtimeve të pavërtetuara.

Ndryshe, më shumë se 142 mijë persona janë infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara dhe mbi 2500 kanë vdekur, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.