Kosova

Cilët janë gjashtë deputetët evropianë që po e mbështesin Albin Kurtin?

Pesë eurodeputetë të majtë dhe një ish-anëtar i Parlamentit Evropian i kanë dërguar një letër të hapur Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për t’i shprehur mbështetjen e tyre në këtë situatë të krijuar nga pandemia e COVID-19, por edhe në lidhje me përplasjet politike mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Hashim Thaçi.

Fillimisht, eurodeputetët të cilët janë edhe kryesues delegacionesh për vendet e Ballkanit apo raportues, shprehin solidaritetin për luftën e vështirë ndaj pandemisë, si dhe shprehin vlerësimet e tyre për përballjen e përshtatshme me situatën nga ana e qeverisë në detyrë.

Më pas në letrën e tyre të hapur, Tanja Fajon, Viola von Cramon-Taubadel, Tonino Picula, Andreas Schieder, Evin Incir dhe Knut Fleckenstein, rikujtojnë qëndrimin e shumicës së vende anëtare të BE-së kundër masave anti-demokratike në Hungari, ku thuhet se megjithë legjitimitetin për masa masat e jashtëzakonshme në këtë situatë të paprecedentë, shqetësimi mbetet shumë i madh për rreziqet e shkeljes së parimeve të shtetit ligjor dhe të drejtave themelore.

Letra për kryeministrin Kurti:

“Një letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Kosovës.

Bruksel, 9 prill 2020.  

I nderuar Kryeministër Kurti, 

Para së gjithash duam t’ju sigurojmë ndaj solidaritetit tonë në luftën e vështirë kundër pandemisë së coronavirusit. Të gjithë po përballemi me këto kohë të vështira, dhe na vjen mirë të shikojmë se ju po e përballoni situatën në mënyrën e përshtatshme. 

Qeveritë e shumë shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian më 1 prill janë shprehur kështu: “Në këtë situatë të paprecedentë, Shtetet Anëtare e shohin të ligjshme të përshtasin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për ta tejkaluar këtë krizë. Megjithatë ne jemi shumë të shqetësuar për rreziqet që mund të sjellin shkeljet e parimeve kryesore të ligjit, demokracisë, dhe të drejtave themelore që rrjedhin nga miratimi i disa masave emergjente”. 

Duke qenë se jemi mbështetës të fortë të respektimit të parimeve kryesore të ligjit dhe demokracisë, ne jemi tej mase të shqetësuar për situatën politike në vend pas votimit të mocionit të mosbesimit kundër qeverisë tuaj dhe pas leximit të njoftimit të presidentit Thaçi mbi disa interpretime të mundshme kushtetuese. Askush nuk duhet ta keqpërdori krizën aktuale për lojëra politike. Dhe ne shpresojmë, se në Prishtinë ekziston akoma përgjegjshmëria. 

Gjithashtu ne dëshirojmë tju falenderojmë për vendimin e heqjes së taksës ndaj mallrave serb dhe boshnjakë.  Ne besojmë se ky hap i rëndësishëm do të inkurajojë disa shenja të vullnetit të mirë nga ana serbe. 

I dashur kryeministër, 

Ne jemi të bindur, se Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, veçanërisht në këtë kohë krize. Pas krizës, zgjedhjet e reja do të vlejnë si një hap i nevojshëm për të ecur përpara, në përputhje me Kushtetutën tuaj. Ne, Anëtarët e Parlamentit Europian, jemi gjithmonë në krah popullit të Kosovës. 

Ne vazhdimisht po negociojmë liberalizimin e vizave me Këshillin Evropian për qytetarët e vendit tuaj, dhe ne besojmë shumë se ju e meritoni me të vërtetë. Ne do të donim t’ju inkurajonim në luftën kundër çdo shpërdorimi të krizës së coronavirusit, e cila vetëm do tu jepte argumente shtesë atyre, që akoma punojnë kundër Kosovës”.