Life Style

Cilat lule është më mirë të mbillen në nëntor

Gjatë kësaj periudhe mund të mbjellim qepujka të zymbylit, narcisit, tulipanit dhe krokusit (crocus). Pas mbjelljes, këto qepujka dimërojnë dhe lulëzojnë në pranverë

Gjatë kësaj periudhe fletët, të cilat grumbullohen në sasi të mëdha, i marrin nga sipërfaqet e gjelbra dhe i vendosim për kompostim, ndërkaq më vonë mund të na shërbejnë si pleh natyral, transmeton Telegrafi.

Fletët e grumbulluara mund t’i shfrytëzojmë edhe si mbrojtje nga ngricat për disa bimë të ndjeshme.

Janë arritur kushtet e përshtatshme për mbjellje të gardhit të gjallë (Buxus, Pyracantha) si edhe gëmusha, deri nga mesi i këtij muaji.

Qepujkat dhe lulet e lulëzuara njëvjeçare tani i nxjerrim nga theu. Qepujkat i pastrojmë, i lëmë të thahen dhe i ruajmë për mbjellje në pranverë.

Më parë i mbjellim qepujkat e zymbylit (hyacinthus) dhe narcisit (narcissus) dhe pastaj qepujkat e tulipanit (tulipa) dhe krokusit (crocus).

Qepujkat e zymbylit i mbjellim në grupe nga tri, ashtu që i mbjellim në 2/3 e gjatësisë, ndërsa pjesa tjetër mbetet mbi dhé.

Nëse vendosim që qepujkat t’i mbjellim në kopsht me qëllim që të lulëzojnë në pranverë, i vendosim pranë skajit të shtigjeve në atë mënyrë që i fusim në dhé në thellësi prej 20 cm.

Në atë vend i lëmë deri në fillim të dhjetorit, kur i vendosin në hapësirë më të ngrohtë. Shumë shpejt do të shfaqen sythat e luleve, të cilat më parë, për shkak të qëndrimit në hapësirë të errët, do të jenë pothuajse krejtësisht të bardha, mirëpo kjo ndodh kështu vetëm për një kohë të shkurtër. Pas disa ditëve, sythat marrin ngjyrë të gjelbër.

Në rast të mbjelljes së qepujkave të narcisit, thellësia është 15 – 20 cm, me ç’rast është me rëndësi të kemi parasysh që qepujkat të mos i mbjellim shumë shpesh, sepse shpejt përhapen.

Qepujkat mund t’i mbjellim edhe në saksi, ashtu që i mbjellim nga një në çdo saksi. Pas mbjelljes, saksinë e vendosin në një enë me ujë në mënyrë që dheu të njomet mirë dhe pastaj të kullohet. Pastaj, qepujkat i vendosim në vend të ftohtë dhe të errët (në bodrum) deri sa të shfaqen fletët e zverdhura në të gjelbër, kur i zhvendosin në vend të ftohtë por me dritë (në dërrasë dritareje).

Hapja e fletëve në temperaturë prej 18-20 gradësh shënon fillimin e lulëzimit të tyre.

Është rasti që kopshtin ta pasurojmë me mbjellje të llojeve të cilat dimrin e kalojnë në gjendje filizash të nëndheshëm por të cilët ndahen në pjesë – zemra e vajzës (Dicentra Spectabilis), luleshpatë (Iris), luleshëngjergji (Convalariamajalis) dhe bozhur (Paeonia).

Pos kësaj, mund t’i mbjellim lulet dyvjeçare të cilat janë në formë të fidanëve të formuara dhe rezistuese ndaj kushteve të dimrit – ditë e natë (Viola tricolor), Myosotis (përmendore), karafil turk (Dianthusbarbatus)…

Të gjitha lulet e sipërpërmendura mbillen në distancë prej 20 cm, pos karafilit turk, ku distanca është më e madhe – rreth 30 cm.

Pos thellësisë së mbjelljes dhe distancës midis fidanëve, është shumë me rëndësi t’i kushtohet kujdes edhe temperaturës së tokës për mbjellje varësisht nga lulja. Përveç mbjelljes së qepujkave dhe luleve dyvjeçare, mbjellja vjeshtore është e përshtatshme edhe për trëndafila.

Leave a Reply

Your email address will not be published.