SPORT

Cilat klube nuk duan t’i rinisin stërvitjet grupore ?

Milani, Interi, Napoli dhe Roma raportohet se ia kanë bërë të qartë Federatës së Futbollit të Italisë se nuk do të munden t’i rinisin stërvitjet grupore të hënën. Mediumet italiane raportojnë se këtë hap mund ta ndjekin edhe shumë klube të tjera në Serie A.

Gazeta italiane Corriere della Sera raporton se katër klubet e mëdha italiane e kanë konfirmuar se nuk do t’i rinisin stërvitjet në grup nga 18 maji, përkundër që këtë ua lejon protokolli i aprovuar nga qeveria.

Klubet dëshirojnë ta shmangin këtë propozim për shkaqe logjistike – si gjetjen e një hoteli për përdorim ekskluziv nga skuadra dhe dezinfektimi i atij hoteli çdo ditë, siç kërkohet nga protokolli.

Klube të tjera të Serisë A – si Torino, Hellas Verona, Brescia, Genoa dhe Sampdoria – gjithashtu thuhet se e ndajnë të njëjtin mendim me Milanin, Interin, Napolin dhe Romën, përkundër që një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar në Federatë.

Në anën tjetër, Juventusi, Fiorentina dhe Atalanta janë të përgatitura për rinisjen e stërvitjeve grupore, mirëpo nuk e dinë se çfarë do të ndodhë tani nëse klubet  e tjera nuk e bëjnë të njëjtën gjë.

Klubet janë duke i kundërshtuar masat e ndërmarra nga Federata e Futbollit e Italisë dhe Komiteti Teknik Shkencor i qeverisë, pa u konsultuar me skuadrat e tjera të Serisë A.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.