SPORT

Cilat klube janë në garë për Coutinhon?

Ylli brazilian do të rikthehet përkohësisht në Barcelonë gjatë verës pas eksperiencës njëvjeçare në Bayern Munich. Më pas, Coutinho mund të rikthehet në Premierligë, ku e duan disa klube angleze

Klubet e Premierligës janë futur në garë për transferimin e Philippe Coutinhos.

Ylli brazilian aktualisht është i huazuar në Bayern Munich, ndërsa gjatë verës pritet të rikthehet në Barcelonë.

Gjiganti bavarez nuk është i gatshëm ta paguajë shumën për ta blerë kartonin e ish-futbollistit të Interit, Espanyolit dhe Liverpoolit.

As kampioni aktual spanjoll nuk e ka ndërmend ta mbajë 27 vjeçarin, i cili mund të përfundojë në Angli.

Mediumi spanjoll “Mundo Deportivo” shkruan se interesim për Coutinhon kanë shfaqur klubet angleze, Chelsea, Newcastle, Arsenal, Manchester United dhe Leicester City.

Coutinho e pati një eksperiencë të zbehtë në Camp Nou dhe nuk e ka ndërmend të vazhdojë të luajë me “Blaugrana”.

Ai e njeh mjaft mirë Premierligën, ku kishte luajtur me sukses në Liverpool.

Prandaj, futbollisti ofanziv do ta mirëpriste një tjetër eksperiencë në kampionatin anglez.