Kosova

Cilat janë vendimet e para që duhet t’i marrë Kurti si kryeministër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë detyrën e tij si i pari i ekzekutivit në një kohë kur Kosova para vetës ka sfida të mëdha dhe në kohë të vendimeve të mëdha.

Kjo është vërejtur edhe në urimin që i Dërguari i Posaçëm i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell dhe shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ia kanë bërë Kurtit.

Ata së bashku me urimin për Kurtin ia kanë bashkangjitur edhe kërkesat e para sa i përket vendimeve që ai duhet t’i marrë si kryeministër dhe udhëheqës i Kosovës.

Ndër këto kërkesa, Grenell është shprehur se hapi i parë që duhet ta bëjë Kurti është heqja e tarifës doganore prej 100 për qind për produktet serbe dhe ato boshnjake.

Në anën tjetër, lajmi.net ka kontaktuar me njohës të çështjeve politike për të folur rreth vendimeve të para që Kurti duhet t’i marrë në raport me dialogun.

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani për lajmi.net është shprehur se Kurti duhet ta rishikojë taksën dhe të marrë një vendim për të.

Sipas tij, Kosova duhet ta largojë taksën ndaj Serbisë e cila është vendosur për motive politike.

“Kurti pak mund të hezitojë që këtë taksë përnjëherë ta menjanojë apo pezullojë, por pas ndonjë rishikimi të deritashëm të efekteve të taksës dhe të nxjerrë një vendin, pra ende përnjëherë nuk do të ndodhë në këtë kohë sapo ka filluar mandati i tij, pra pritet në vazhdim që të nxjerr një qëndrim që kuptohet është politik, apo do të bëjë përpjekje fillestare të thotë se taksa mund të rivendoset, pezullohet dhe rivendosja e kësaj takse nuk do të jetë e natyrës politike por e mbrojtjes së ekonomisë vendore. Ky mund të jetë arsyetimi i tij nëse do të ketë ndonjë qëndrim të mëvonshëm rreth taksës. Kjo qeveri duhet të largojë taksën si masë politike ndaj Serbisë sepse e pengon dialogun por rivendosja në të ardhmen mund të ndodhë nëse Sebria tenton ekonomikisht ti bëj dëm për mallra të saj. Kosova ka nevojë për importe të miellit gati 60 për qind të produkteve nga shtetet tjera që i referohen industrisë ushqimore”, tha Burjani për lajmi.net.

Burjani gjithashtu është shprehur se nëse do të ketë kryeneçësi, qeveria nuk do të ketë kohëzgjatje më shumë se 9 muaj. Sipas tij, Kurti duhet të sillet me kujdes ndaj ndërkombëtarëve.

Ai gjithashtu ka theksuar se Kosova është në kohën e vendimeve të mëdha dhe mosguximi për t’i marrë këto vendime do të paraqesë liderët si të paaftë.

“Nëse veç nuk ndodhë që të ketë kryeneçësi atëherë kjo qeveri mund të bie në 9 muajt e ardhshëm. Pra duhet pasur kujdes, sepse me katër ndërkombëtar nuk mund të sillesh sikur me katër vendor politik dhe lojë mahallash, pra duhet kujdes i shtuar, seriozitet dhe zgjuarsi politike.  Vendime të mëdha për të nxjerrë duhet me pasë guxim të madh ose me mbet i paaftë si lider, pra vetëm lider e mëdhenj politik botëror nxjerrin vendime të mëdha. Ne jemi shtet i vogël me pak rëndësi për botën por me rëndësi për rajonin dhe paqen në Ballkan. Pra të shohim si do të rrjedhë epilogu i sjelljes së kësaj qeverie, pra te pesha e ndikimit për vendimet që nxjerr, pesha e përgjegjësisë për të zgjidh problem te qytetarëve që janë mjaft të mëdha. Koha është për vendime të mëdha dhe reforma”, tha Burjani për lajmi.net.

Në anën tjetër, njohësi i politikës, Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se Kurti duhet që menjëherë ta heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe.

“Kryeministri Kurti në diskursin e tij politik gjithmonë ka theksuar se duhet të zbatohen masat e reciprocitetit me Serbinë. Këtë e ka theksuar gjatë fushatës zgjedhore , por edhe tani kur ka marrë postin e kryeministrit. Kërkesat e ambasadorit Grenell dhe po ashtu përfaqësuesit të lartë të BE , Borell ishin mëse të qarta, që dialogu të vazhdoj dhe po ashtu vendimin e parë që duhet marrë kryeministri Kurti është heqja e menjëhershme e taksës 100%”, tha Brajshori për lajmi.net.

Sipas Brajshorit, sfida e vërtetë e Kurtit do të jetë dialogu me Serbinë. Sipas tij, Kurti duhet të vendosë masën e reciprocitetit.

“Kryeministri Kurti mbrëmë në paraqitjen e parë publike  para qytetarve  të republikës e theksoi se sfida më e madhe për qeverinë e tij do të jetë punësimi, mirëpo sfida reale do të jetë dialogu, sepse presioni do të jetë gjithandej. Kryeministri Kurti duhet ti vendosë masat e reciprocitetit të cilat sipas tij do te jenë shumë më të ashpëra se sa taksa 100% , duke permendur se diplomat nga universitet tona nuk pranohen në Serbi , ndërsa serbët e Kosovës mund të shkollohen atje dhe me diploma nga Serbia mund të punsohen këtu. Pra vendimi i parë domosdoshmërisht duhet të jetë heqja e taksës 100% e cila është mbrojtur ne fanatizëm nga oponentet e tij politik, ku do ta ketë përkrahjen e plotë edhe nga partneri qeverisës LDK si dhe nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare”, tha Brajshori.

Sipas tij, Kurti duhet të përgadisë një platformë për dialogun. Por, Brajshori gjithashtu është shprehur se trysnia e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ndikimi i Rusisë do të jenë prezent në dialog.

“E dyta që kryeministri Kurti duhet të veproj është, përgaditja e platformës së dialogut, ende nuk e dimë nëse do të ketë përfshirje më të gjerë, a do të ketë të përfshirë edhe nga opozita mirpo z. Kurti është në pozitë më të favorshme se të gjithë negociatorët para tij karshi Serbisë , për shkak të backroundit të tij i pa korruptuar  dhe njohjeve të politikave të jashtme ku Serbia do të ballafaqohet me një negociator jashtzakonisht të përgaditur. Gjithsesi nuk duhet  harruar edhe rolin dhe trysninë që do ta bëjnë disa shtete të BE -së të cilat nuk e kanë njohur pavarsinë e Kosovës po ashtu edhe ndikimi rus do të jetë mjaft i madh në këtë dialog”, tha Brajshori.

Brajshori në fund është shprehur se ndoshta për rifillimin e dialogut duhet të priten zgjedhjet e 26 prillit në Serbi, por sipas tij, nëse Kurti arrin t’i fusë në agjendë krimet e luftës, kjo do të ishte fitore e madhe për Kosovën.

“Ndoshta duhet të pritet që të përfundojnë zgjedhjet në Serbi të cilat janë me 26 prill dhe të shihet se si do të jetë qeveria e re e tyre edhe pse nuk pritet ndonjë ndryshim i madh, por në këto zgjedhje pragu zgjedhor nga 5% është ulur 3 % ku do të ketë më shumë parti të përfaqësuara .  Dialogu duhet të vazhdoj në bazë të kushtetutës dhe të mos cenohet integriteti territorial që është synim i Sërbisë dhe nëse kryeministri i’a del që ti fusë në agjendë edhe krimet e luftës , do të ishte vërtetë  një fitore e madhe dhe Serbia gjatë vazhdimit të dialogut do të ishte në disavantazh të madh. Pra kordinimi me miqtë tanë ndërkombtarë sidomos me ShBA-të , do të krijonte siguri të madhe për palën kosovare dha vazhdim më të qetë të dialogut”, tha Brajshori për lajmi.net.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot në një deklaratë është shprehur se dialogu mund të vazhdojë, por pa kërkim falje dhe pa njohje nga Serbia.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.