Kosova

Cilat janë temat me prioritet që duhet të diskutohen në dialogun Kosovë-Serbi, sipas Sherifit?

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, është deklaruar rreth temave të cilat duhet të trajtohen me prioritet në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se marrëveshja finale mes këtyre dy vendeve duhet të përmbyll të gjitha çështjet e hapura mes tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Sherifi ka veçuar disa tema, të cilat sipas tij, duhet të trajtohen me prioritet, ku ka përmendur edhe ndriçimin e fatit të mbi 1 mijë e 600 civilëve të vrarë nga forcat serbe, për të cilët edhe sot, pas dy dekadave Serbia vazhdon me logjikën e fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit.

“Bashkëpunimi i Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që zbatuan dhunën seksuale si formë të gjenocidit ndaj mbi 20 mijë femrave shqiptare.

Bashkëpunimi i Serbisë për të dëmshpërblyer viktimat e gjenocidit dhe riparimin e dëmeve të luftës”, ka shkruar tutje ai.

Postimi i plotë i Sherifit:

“Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Mirosllav Lajçak ka deklaruar se “Marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të përmbyll të gjitha çështjet e hapura”.

Pa dyshim që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyll të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve, në mes tyre më të rëndësishmet që duhet trajtuar me prioritet të lartë janë:

Ndriçimi i fatit të mbi 1600 civilëve të vrarë nga forcat serbe, për të cilët edhe pas më shumë se dy dekada shteti serb vazhdon me logjikën e fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit!

Bashkëpunimi i Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që zbatuan dhunën seksuale si formë të gjenocidit ndaj mbi 20 mijë femrave shqiptare.

Bashkëpunimi i Serbisë për të dëmshpërblyer viktimat e gjenocidit dhe riparimin e dëmeve të luftës.

Bashkëpunimi i Serbisë për t’ia kthyer Kosovës pasurinë dhe fondet e plaçkitura!

SHBA dhe BE duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se e ashtuquajtura fazë e fundit e dialogut, parim kryesor do të ketë njohjen e shtetit të Kosovës nga shteti i Serbisë. Edhe më herët është provuar të zgjidhen “çështjet e hapura” duke e lënë anash njohjen reciproke si çështje kryesore të hapur mes dy vendeve por siç e dimë pa sukses”.