KULTURË

Cilat janë këngët e preferuara të publikut nga “Festivali i Këngës 2020”

Para një ditë në kanalin zyrtar të Radiotelevizionit Shqiptar u publikuar 26 këngët pjesëmarrëse të Festivalit të Këngës në RTSH.

Në mesin e artistëve që sivjet konkurrojnë për vendin e parë të kësaj ngjarjeje, e që njëherësh e fitojnë të drejtën për ta përfaqësuar Shqipërinë në festivalin e ardhshëm “Eurosong 2021”, janë një miks i artistëve tashmë të njohur të muzikës shqiptare, dhe këngëtarëve relativisht të ri në skenë si: Manjola Nallbani, Kamela Islamaj, Kastro Zizo, Era Rusi, Erik Lloshi, Rosela Gjylbegu, Florent Kabashi dhe të tjerë.

Por, nëse bazohemi në klikimet dhe komentet që këngët e postuara në YouTube i kanë marrë deri më tani, tashmë mund të kuptohen cilët janë artistët dhe këngët e preferuara të publikut, që potencialisht do të garojnë kokë më kokë për vendin e parë, transmeton Koha.

Ajo që momentalisht udhëheq me më së shumti klikime është artistja e re, Inis Neziri, e cila më shumë emocion e interpreton baladën e dashurisë me titull “Pendesë”. Pas saj me 24 mijë klikime renditet Anxhela Peristeri me këngën “Karma”, e cila e vë në pah vokalin e fuqishëm të këngëtares. Tutje në mesin e të preferuarve të publikut duket të jenë, këngëtari i ri Mirud i cili ka arritur t’i marrë 20 klikime me këngën ritmike “Nëse vdes”, dhe Era Rusi me një këngë krejt ndryshe nga projektet tjera konkurrente e cila titullohet “Zjarri im”.

Edicioni i 59-të i Festivalit të Këngës në RTSH do të mbahet në dhjetor të këtij viti, përkundër situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.