Kosova

Cilat janё masat që ka marrë deri më tani Komuna e Prishtinës për parandalimin e koronavirusit?

Virusi Covid-19, i cili deri më tani në tërë botën ka marrë jetën e më shumë se 4 mijë njerëzve, ka shkaktuar panik edhe në Kosovë. Ani pse ende nuk është konfirmuar asnjë rast me koronavirus, tashmë institucionet kanë marrë masat parandaluese për përhapjen e tij, shkruan Express

Shpend Ahmeti ka përvjelë mëngët dhe i ka marrë me seriozitet masat mbrojtëse për qytetarët e kryeqytetit.

Ndër masat e para që mori Ahmeti ishin mbyllja e përkohshme e qendrave për të moshuarit, pasi këta të fundit rrezikohen më shumë nga virusi.

“Prej sot fillojmë masat parandaluese për COVID19. Prej nesër do ti mbyllim përkohësisht Qendrat për të Moshuarit për shkak të rrezikut më të lartë nga virusi për të moshuarit”, ka shkruar Ahmeti të martën në profilin e tij në Facebook.  

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se do të dezinfektohen autobusët e Trafikut Urban.

Të mërkurën Ahmeti ka vazhduar të marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Ai ka treguar se masat që do të merren në vazhdim janë në bazë të rekomandimeve të përgjithshme nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Gjatë vikendit do të dezinfektohen më detajisht hapësirat e ndërtesave të Komunës së Prishtinës ku ka sportele dhe shumë punë me palë. Që nga nesër të gjithë punëtorët e sporteleve të Komunës së Prishtinës do të pajisen me maska, dorëza dhe dezinfektues. Që nga nesër shkollat dhe çerdhet furnizohen me material higjienik shtesë sipas nevojës deri në një vendim të radhës për çerdhet dhe shkollat”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka theksuar se Komuna e Prishtinës do të pezullojë të gjitha lejet për tubimet publike, ku pritet pjesëmarrja e më shumë se 50 personave.

“Komuna e Prishtinës pezullon lejet për tubimet dhe evenimentet publike (promovime, tubime ne sheshe) ku pritet pjesëmarrja e më shumë se 50 personave. Këtu përfshihen aktivitetet që kërkojnë leje nga Komuna për të zhvilluar aktivitetin. Po ashtu njoftoheni se pezullohen takimet me palë në drejtoritë e urbanizmit dhe investimeve kapitale që nuk janë me urgjencë”, ka njoftuar Ahmeti, derisa ka theksuar se komuna vazhdon me ofrimin e të gjitha shërbimeve.

Ahmeti të mërkurën i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të shkollave në vend.

Madje, ai tha se nëse Qeveria nuk e merr një vendim të tillë, vetë ai do të pezullojë mësimin nëpër shkollat e kryeqytetit.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës, mbrëmjen e së mërkurës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, ku prezantoi masat të cilat do të ndërmerren për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit.

Ndër pikat kryesore të mbledhjes së Qeverisë ishte edhe mbyllja e përkohshme e shkollave.

Këto janë masat e Qeverisë së Kosovës kundër koronavirusit:

Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020. Pezullohen përkohësisht linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor.

Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetje të PK-së.

Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.

Aktivititetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut.

Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00. Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomikë dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.