Kosova

Cila datë i përshtatet për zgjedhje Lëvizjes Vetëvendosje? – përgjigjet Kurti

Kryeministri në detyrë njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mbajtur mbledhjen me qendrat e partisë.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike, Kurti ka potencuar se Vetëvendosja insiston në mbajtjen e zgjedhjeve.

Ai ka thënë se e diela e 14 qershorit do të ishte ditë ideale për zgjedhje, duke shtuar se tubimin e madh përmbyllës do ta mbanin më 12 qershor, duke festuar kështu edhe 15 vjetorin e themelimit.

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”, citohet të ketë thënë Kurti.

Siç bëhet e ditur nga partia, ai tutje gjatë mbledhjes ka folur mbi prioritetin e punës së tij gjatë kësaj kohe, që është ai i menaxhimit me pandeminë COVID-19.

“Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin”, ka thënë ai.

Në mbledhje njoftohet se u theksuan edhe punët të tjera duke filluar, siç thonë ata, nga çlirimi i bordeve e menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike deri te denoncimi i gjetjeve të shumta që kanë ngulfatur këto ndërmarrje nga njerëz të pushtetit të vjetër.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.