SPORT

Champions sipas klubeve, ndryshimet e pritshme nga UEFA

Më shumë ndeshje në nivel europian për të garantuar kualitetin sportiv dhe konkurrencën e ashpër, e duke forcuar mekanizmat e promocionit dhe zbritjes në liga të ndryshme.

Kjo është sinteza që Shoqata Europiane e Klubeve (ECA) po kërkon t’i diktojë UEFA-s, të paktën për turneun më të rëndësishëm të futbollit kontinental për klube, Champions League.

Skuadrat me pushtetin më të madh në Europë duan një sistem të hapur dhe gjithëpërfshirës, por të bazuar në merita sportive dhe jo privilegje të bartura. Në diskutimet e avancuara prej muajsh me zyrtarë të UEFA-s, po projektohet një reformë historike e kupave, duke nisur nga viti 2024.

Presidenti i “ECA”-s, Andrea Agnelli ka thirrur në një Asamble speciale 232 anëtarët e Shoqatës Europiane të Klubeve, më 6 dhe 7 qershor në Maltë. Këtu do të ndahen edhe pikëpamjet e fundit, e do të ndahet me klubet avancimi i bisedimeve për formatin e turneve.

Në ciklin 2021-2024 do të konfirmohet Champions dhe Europa League, si dhe një kompeticion i tretë i UEFA-s. Tani, vëmendja është përqëndruar në planin afatgjatë të futbollit europian.