SPORT

Challandes të enjten publikon listën për ndeshjet me Danimarkën e Bullgarinë, pritet të mungojë Berisha

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes të enjten do ta bëjë publike listën e lojtarëve për dy ndeshjet, atë kundër Danimarkës dhe Bullgarisë.

Kështu ka njoftuar të martën për “Sportin në KTV” menaxheri i kombëtares së Kosovës, Bajram Shala.

Ndeshjen miqësore kundër Danimarkës do ta zhvillojë më 21 mars, kurse atë kualifikuese për “Euro 2020”, do ta luaj më 25 mars. Të dyja ndeshjet Kosova do t’i luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Menaxheri Shala nuk ka dashur të zbulojë emrat e të ftuarve, por burime të “Sportit në KTV” kanë marrë vesh se Challandes ka ftuar për herë të parë futbollistin e Diosgyorit, Florent Hasanin, i cili më herët ka qenë pjesë e Shpresave të Kosovës.

“Florenti ka marrë ftesën dhe shpreson të debutojë në njërën prej dy ndeshjeve”, ka thënë në kushte anonimiteti një i afërm i futbollistit për televizionin.

Ftesë ka marrë edhe Lirim Kastrati që luan për Lokomotivën e Zagrebit, ka njoftuar vet futbollisti për “Sportin në KTV”.

Për ndeshjen kundër Danimarkës dhe Bullgarisë, Kosovës pritet t’i mungojë Valon Berisha I lënduar. Mediumet në Itali të martën kanë raportuar se Berisha vazhdon të ketë problem me muskuj, derisa ftesë ende nuk ka marrë as Donis Avdijaj, që ka kohë që nuk po luan për Willem II. Mund të kthehet edhe Bersant Celina që po kalon formë të mirë me SWansea Cityn në “Championship”.

“Nuk kam marrë ende ftesë”, ka thënë Avdijaj për “Sportin në KTV”

Për këto dy ndeshje, Kosova do ta nisë grumbullimin më 18 mars. Po të hënën Challandes do të mbajë edhe konferencën e tij të parë.