SPORT

Challandes: Ndeshjen me Bullgarinë do ta luajmë edhe për Zenelin

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se përballja e Kosovës me Bullgarinë në kualifikimet për Euro 2020 do të luhet edhe për yllin e “Dardanëve”, Arbër Zeneli, që pësoi lëndim të rëndë të premten në ndeshjen ndaj Malit të Zi.

“Jemi shumë të mërzitur për Arbrin, por besojmë se do të kthehet më i fortë dhe këtë ndeshje do ta luajmë edhe për të”, ka thënë ai në konferencë. 

Challandes pret ndeshje të vështirë me Bullgarinë, s’tregon a do të luajë Hadërgjonaj

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se pret përballje të vështirë me Bullgarinë të hënën në mbrëmje në kualifikimet për Euro 2020.

Në konferencën për media, Challandes ka deklaruar se do të përpiqen të luajnë me stilin e deritashëm. Ai s’ka pranuar të tregojë nëse ylli i ri Florent Hadërgjonaj do të debutojë për Kosovën në këtë ndeshje.

“Hadërgjonaj është lojtar i mirë, por asnjëherë nuk mund të tregoj se kush luan. Ne do të provojmë të bëjmë lojën tonë, me filozofinë tonë, pa provuar që ta adaptojmë për kundërshtarin tonë. E kam parë Bullgarinë që ka qenë shumë intensive ndaj Çekisë, dhe e di që të luash këtu kundër Bullgarisë s’është aspak e lehtë”, ka thënë ai, raporton KTV.

Kosova e Bullgaria kishin barazuar 1 me 1 në ndeshjen e parë mes vete në “Fadil Vokrri”.