Kosova

Çfarë tha në Gjykatë Murat Jashari i “Syrit të Popullit” që plagosi Azem Vllasin për personat në listë…

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vazhdon seanca përfundimtare për të akuzuarit në rastin që njihet si “Syri i Popullit”.

Të gjithë të akuzuarit kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare përveç Murat Jasharit, të cilin Gjykata e ka liruar për shkak se vuan nga skizofrenia.

Por, pavarësisht Gjykatës që nuk ia ka obliguar, i akuzuari për tentim vrasjen e Azem Vllasit, Jashari ka dashur të japë edhe ai mendimin e tij për këtë proces.

“Listën se kush duhet me u vra, me u var e kam bë unë, askujt nuk ia kam dhënë për ta lexuar. I kam shkruajtur disa letra, një për Behxhet Luzhën dhe një për Ismet Behxhetin, një për Ramadan Behlulin me pseudonimin Besniku, këta që janë në sallë nuk kanë pasë ndonjëherë gisht në planet e mia. E kush e ka shkruar komunikatën duhet ta tregojë vetë Sylë Hoxha”, tha ai.

Ndërkohë që avokati i Jasharit, Azdren Bytyqi, ka kërkuar që Murat Jashari të transferohet për trajtim në Zvicër, më afër familjes, meqë kështu kanë konstatuar edhe ekspertët zviceranë.

Deri tani Jashari ishte nën masën e trajtimit të detyrueshëm në institutin e psikiatrisë forenzike.