Kombëtare

Çfarë sëmundje kishte polici?

Një efektiv i policisë Rrugore në Tiranë u nda papritur nga jeta në një moshë mjaft të re. Mariglen Mestani, luftoi 12 orë me vdekjen, por nuk arriti të mbijetojë, pasi u shua nga temperatura e lartë pas një infeksioni bakterial.

Babai i tij, Artur Mestani tha: “Djalin e gjeta të vetëdijshëm kur shkova në Tiranë. Isha në fshat kur mora lajmin. Jam tmerruar kur e pashë me pulla. Nuk e njoha, ma bëri me dorë, e putha nga xhami, nuk mund të qëndroja dot aty ta shihja në atë gjendje…

Djali ishte i shëndetshëm nuk kishte pasur probleme asnjëherë, nuk është sëmurur. Kur hyra me djalin e xhaxhait (nipin), djali im filloi të qante kur na pa bashkë te dyve. Prej 7 vitesh punonte në Tiranë, shokët dhe stafi i tij erdhën me ne, na shoqëruan nga Tirana për në Ersekë. Djalin e kisha të sjellshëm, të rregullt”.

Deri më tani është thënë se polici i ndjerë mund të jetë ndarë nga jeta për shkak të meningitit akut.

Por një mjeke nga Gjermania, ka denoncuar te ish-kryeministri Sali Berisha se janë edhe tre raste të tjera me meningokoksemi në Durrës, njësoj si polici që humbi jetën.

Po çfarë është kjo sëmundje?

Meningokoksemia është sindromë klinike e sepsisit akut ose hiperakut, e shoqëruar me rash purpurik, e cila shkaktohet nga një bakter negativ. Shkalla e vdekshmërisë në këtë sëmundje vazhdon të mbetet në shifra të larta. Ajo është rreth 15-20% te meningokoksemi dhe mbi 60% te rastet me purpura fulminans edhe nëse është filluar trajtimi me antibiotikët e përshtatshëm.

Shumica e vdekjeve ndodhin brenda 48 orëve të para të shfaqjes së sëmundjes. Rreth 50% e pacientëve në gjendje shoku vdesin gjatë 12 orëve të para të shtrimit në spital.

Kjo sëmundje neglizhohet sepse ngatërrohen shenjat me ato të një gripi të thjeshtë si temperaturë, këputje, të vjella. Mjekimi është simptomatik sipas shenjave, kryesisht antibiotikë të klasave të ndryshme.

Mjekja që denoncoi te Berisha thotë se mjekët në Durrës kanë frikë të flasin.

Syri TV u interesua për informacion dhe mësoi se akoma nuk ka analiza që të konfirmojnë se polici ishte prekur nga meningiti, pasi analiza kërkon kohë të dalë. Një grua tjetër ka qenë e shtruar në gjendje të rëndë, por edhe për rastin e saj pritet konfirmimin nga analiza. Drejtoresha e Spitalit të Durrësit, Diri Jani, thotë se nuk ka vend për panik, transmeton Kosova.info.

‘U tmerrova kur e pashë djalin me pulla’/ Çfarë sëmundje kishte polici?