Life Style

Çfarë lloj bimësh mund të mbillni në shtëpi muajin e ardhshëm

Shkurti është muaji perfekt për të mbjellë frutat, perimet, barishtet dhe disa prej luleve më të dashura.

Në këtë muaj ju mund të vini në përdorim njohuritë tuaja të kopshtarisë dhe të transformoni kopshtin apo ballkonin tuaj në një oazë perimesh, barishtesh dhe frutash të larmishme.

Bimët që mund të mbillni në shtëpi në muajin shkurt

Muaji shkurt është ideal për mbjelljen e domateve, shalqirit, luleshtrydheve, sallatës jeshile e shumë të tjera.

Perimet

Perimet e klimës së ngrohtë, siç janë domatet dhe specat, kanë nevojë për shumë kohë që të rriten dhe zhvillohen. Ato duhen mbjellë në muajin shkurt në vazo të cilën duhet ta mbani në ambiente të brendshme. Më pas, kanë nevojë për 6-8 javë deri në çeljen e filizave të cilat ose mund t’i zhvendosni në kopsht ose në vazo më të mëdha.

Perime të tjera që mund të mbillni në shkurt janë sallata jeshile, patëllxhani, lulelakra, brokoli dhe lakra. Në javën e fundit të shkurtit mund të mbillni edhe kastravecin nga fara.

Frutat

Në muajin shkurt ju mund të nisni mbjelljen e shalqirit dhe pjeprit të cilat kanë nevojë për shumë kohë që të rriten e të kenë prodhimtari. Veç tyre, ju mund të mbillni edhe luleshtrydhe. Në momentin që filizat të kenë tre gjethe, ato duhen zhvendosur në enën përfundimtare ose mbjellë në kopsht.

Barishtet

Borziloku, rigoni, majdanozi, mentja, trumza, sherebela dhe kopra duhen mbjellë në vazo në muajin shkurt. Vazot duhen mbajtur në ambiente të brendshme dhe më pas, në muajt më të ngrohtë, duhen zhvendosur në ballkon. Kini kujdes sepse borziloku dhe majdanozi nuk e durojnë dot klimën e ftohtë dhe nuk mbijetojnë në ngrica.

Nëse hyni këtu do të mund të mësoni këshilla shumë praktike si të mbillni të gjelbrat në kushtet e shtëpisë.

Përveç frutave dhe perimeve, në muajin shkurt, ju mund të mbillni edhe lule të ndryshme, të cilat duhen ekspozuar gradualisht ndaj të ftohtit deri në ngricën e fundit dhe më pas duhen zhvendosur në ballkon. /agroweb/