Bota

Çfarë kishte në bazat ushtarake të sulmuara nga Irani dhe si filloi i tërë konflikti

Njëra prej bazave ajrore të sulmuara nga Irani, baza në Al Asad, është aq e madhe, saqë në kohën e pushtimit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara, fillimisht kishte kinema, pishina, restorante dhe dy linja të brendshme të autobusëve.

Kjo bazë është ndërtuar në vitet e tetëdhjeta për ushtrinë irakiane dhe ndodhet në terren shkretinor, rreth 100 milje në perëndim të Bagdadit.

Megjithatë, pas futjes së trupave amerikane në Irak në vitin 2003, ajo u bë një ndër bazat më të mëdha për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe u transformua shpejt.

“Ndodhet në mes të shkretëtirës dhe është e rrethuar nga të gjitha anët me gurë dhe shkurre”, kishte raportuar një gazetar i BBC-së vite më parë.

Trupat amerikane ishin tërhequr nga kjo bazë në vitin 2010 dhe ajo u ishte dorëzuar forcave irakiane. Megjithatë, pas forcimit të Shtetit Islamik në provincën Anbar, baza ishte sulmuar nga militantët, transmeton Gazeta Express.

Në vitin 2014, amerikanët ishin kthyer në këtë bazë dhe kishin investuar në të, duke e përmirësuar infrastrukturën.

Më 26 dhjetor të vitit 2018, këtë bazë e kishte vizituar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ai kishte thënë se ushtarët e ndodhur në këtë bazë kishin luajtur një rol jetik për ta mposhtur ISIS-in në Irak dhe Siri.

Besohet se në këtë bazë ndodhen rreth 1500 ushtarë amerikanë dhe ushtarë të vendeve të koalicionit ushtarak.

Si filloi konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara?

Një grup militant irakian, i përkrahur nga Irani, e sulmoi ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Irak në ditën e fundit të vitit 2019. Sulmi vazhdoi edhe të nesërmen, më 1 janar. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se prapa këtij sulmi qëndron Irani dhe se ky shtet do të paguajë një çmim të lartë.

Të premten e kaluar, më 3 janar, komandanti iranian i forcave Kuds, Qasem Soleimani, u vra përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane, në kohën kur po udhëtonte me veturë pranë aeroportit të Bagdadit.

Shtetet e Bashkuara e kishin fajësuar gjeneralin e vrarë për dhjetëra sulme kundër forcave amerikane.

Irani reagoi ashpër ndaj këtij sulmi, duke u zotuar se do të hakmerret për vrasjen e ushtarakut të lartë.

Në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ky shtet e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj dy bazave ushtarake në Irak, ku ndodhen forcat amerikane dhe forcat e vendeve të tjera aleate.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.