SHËNDETËSIA

Çfarë është lidhja në mes të vitaminës B6 dhe leukemisë?

Shkencëtarët kanë gjetur lidhjen në mes të vitaminës B6 dhe sëmundjes së leukemisë. Sipas tyre, zhvillimi i një trajtimi të ri, i cili mund të jetë shumë efektiv në shërimin e leukemisë është në zhvillim.

Leukemia, e cila është një formë e kancerit në gjak, dhe që i prekë më së shumti fëmijët, është një nga sëmundjet më të përhapura në ShBA. Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit, kjo sëmundje është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve në ShBA. Raportet tregojnë, se në vitin 2019 kanë vdekur 22.840 persona si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Deri tani nuk ka ekzistuar një trajtim, i cili do të mund ta shëronte plotësisht leukeminë, prandaj shkencëtarët janë duke tentuar të gjejnë një trajtim efektiv për ta shëruar këtë sëmundje.

Ky trajtim përfshin vitaminën B6, e cila është esenciale për funksionimin normal të organizmit. Ajo derivohet nga ushqime specifike, të cilat merren nga jashtë dhe ndihmon në rritjen e qelizave, në zhvillimin normal të metabolizmit si dhe prodhimin e neurotransmiterëve të ndryshëm.

Qëllimi i shkencëtarëve ka qenë ta zbuloj gjenin përgjegjës, që ndikon në përhapjen e qelizave kancergjene në gjak. Pasi e kanë targetuar këtë gjen të quajtur PDXK, ata kanë vërejtur se ky gjen kontrollon prodhimin e vitaminës B6.

Kur qelizat janë të shëndetshme, ato nuk kanë nevojë për këtë vitaminë gjatë tërë kohës. Mirëpo në rastet me leukemi kjo enzimë, që aktivizon vitaminën B6 ndikon edhe në rritjen dhe përhapjen e qelizave kancerogjene.

“Kjo do të thotë që qelizat kancerogjene janë të varura nga vitamina B6”, tha Zhang, autor i studimit. “Zbulimi i efektit që kjo enzimë ka për qelizat kancerogjene, mund të na çoj shumë shpejt në gjetjen e një terapie, e cila do të kontrollonte prodhimin e enzimave dhe të vitaminës B6”, shtoi ai.

Ky zbulim është publikuar në revistën shkencore “Cancer Cell”. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.