Rajoni

Çfarë dihet për personin që vrau në sulmin e Vjenës?

I veshur me një këmishë dhe kapelë të zezë, me një pushkë automatike, pistoletë dhe një hanxhar në dorë, 20-vjeçari Kujtim Fejzulai shkrepi një foto të fundit të cilën e postoi në Instagram përpara se të nisej për në Vjenë për të kryer sulmin.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, të hënën ai vrau katër persona dhe plagosi 22 të tjerë në atë që konsiderohet të jetë sulmi më vdekjeprurës për dekada në kryeqytetin e Austrisë.

Duke lëvizur nëpër qytetin e Vjenës, dhe duke qëlluar ndaj kalimtarëve për nëntë minuta nga ora 20:00, Fejzulai u qëllua për vdekje nga policia.

Sipas dëshmitarëve, ai ishte kthyer për një moment për të qëlluar një nga viktimat e tij për herë të dytë.

Fejzulai i cili u përshkrua nga ministri i brendshëm austriak, Karl Nehammer, si “terrorist islamik”, lindi në qytetin e Vjenës më 24 qershor të vitit 2000, nga prindërit maqedonasë.

“Që nga puberteti, i akuzuari kishte probleme masive në shtëpi, të cilat gjithashtu çuan në ekspozim të dhunës”, thuhej në dokumentet e vitit 2019.

Në kohën kur u bë 18 vjeç, ai kishte tërhequr vëmendjen e agjencisë së brendshme të inteligjencës së Austrisë, duke u bërë i njohur si ndjekës i ideologjisë xhihadiste.

Fejzulai u përpoq të kalonte kufirin nga Turqia në Siri në vitin 2018 por u kap dhe u deportua në Austri, bazuar në deklaratën e shefit të sigurimit në vend, Franz Rufi.

Gjykata penale e Vjenës e pati dënuar Fejzulain me 22 muaj në prill të vitit 2019 pasi u bë anëtar i një organizate terroriste dhe për përhapje të propagandës.

Mirëpo, për shkak të moshës së tij, ai duhej të vuante vetëm një të tretën e dënimit dhe u la i lirë në dhjetor të vitit 2019.

Gjykata e kuptoi që Fejzulai, njëherësh tifoz i futbollit, ishte “mendjehapur dhe reflektues” madje i ‘strukturuar’ mirë nga pikëpamja kognitive.

Dihet pak për jetën e tij pasi u lirua, përveç se mori pjesë në një program “de-radikalizmi”, të cilin ende ishte duke e ndjekur para se të kryente sulmin.

Nikolaus Rast, avokati që përfaqësoi atë gjatë atij gjyqi, tha se ishte shokuar nga lajmi i sulmit, duke thënë se kurrë nuk do ta kishte menduar që i riu do të ishte në gjendje të bënte një gjë të tillë.

Rast tha se e kujtoi klientin e tij si një “shpirt të humbur, e djalosh të vogël, i cili po kërkonte të zinte vend në shoqëri”.

Avokati u shpreh se ai kishte përshtypjen se Fejzulai kishte gjetur rrugën e tij drejt “vlerave të vërteta të shoqërisë”. “Por padyshim që ai arriti të na mashtrojë të gjithëve”, tha Rast.