OPINION

Ç’është Festa e Pashkëve?

Shkruan: Don Jeton THAQI
Kur flasim për Festën e Pashkëve si zakonisht tani jemi mësuar të mendojmë si një ndër festat më të rëndësishme të fesë së krishterë (katolike, ortodokse, protestante, etj.). Por kjo festë e ka origjinën edhe më të lashtë, pra, para se të ekzistonte besimi i krishterë, Pashkët ishin festë e popullit të zgjedhur, popullit të Izraelit.

Historia e kësaj feste është shumë e gjatë dhe e ndërlikuar sepse ka të bëjë me tërë Historinë e Shëlbimit që Hyji e kishte realizuar nëpër shekuj me popullin e Izraelit, më vonë edhe më mbarë njerëzimin. Fjala apo termi Pashkë rrjedh prej fjalës latine Pascha, apo prej hebraishtes Pesah, që do të thotë pikërisht “kalim”. Pashka është Kalimi i Hyjit që kapërceu shtëpitë e izraeliteve, ndërsa godiste dhe ndëshkonte ato të egjiptianëve (Dal 12, 13.23.27; krh. Is 31, 5).

Pashka izraelite

Fillimisht Pashka ishte një festë familjare. Kremtohej natën, në dritën e hënës se plotë të ekuinoksit pranveror, më 14 të muajit abib, ose të kallinjve (të ashtuquajtur nisan – mbas mërgimit). I dhurohej Hyjit një kafshë e re e lindur gjatë vitit, për të tërhequr bekimet hyjnore mbi kopenë. Viktima duhet të ishte një qengj apo kec mashkull, pa të meta (Dal 12, 3-6), nuk i duhej thyer asnjë kockë (12, 46; Nr 9, 12). Gjaku i saj ruhej si shenjë duke e lyer hyrjen e çdo banese (Dal 12, 7. 22). Të gjitha këto tipare na bëjnë të mendojmë se Pashka ka një prejardhje shumë të lashtë: ajo mund të jetë edhe flija që judenjtë i kërkojnë Faraonit për të shkuar në shkretëtirë. Prandaj, Pashka mund të jetë edhe më e hershme sesa Mojsiu dhe Dalja e Egjiptit.

Por ajo që e bëri këtë festë të madhe dhe vendimtare ishte pa dyshim dalja e popullit të Izraelit nga robëria egjiptiane. Pra, Pranvera më e madhe është ajo kur Hyji e liron nga zgjedha egjiptiane e robërisë nëpërmjet një varg ndërhyrjesh providenciale, ndër të cilat më e shkëlqyeshmja shfaqet me anë të shfarosjes së të paralindurve egjiptian (Dal 11, 5).

Ajo që vlen të theksohet pra është se Pashka përkon më lirimin e Izraeliteve: ajo bëhet përkujtimorja e Daljes, ngjarja kryesore e historisë se tyre; kujton se Hyji e ka goditur Egjiptin dhe ka kursyer besimtarët e vet. Ky do të jetë këtej e tutje kuptimi i Pashkës dhe i emrit të ri të saj. Prandaj, për hebrenjtë të kremtosh Pashkët (si në kohën e Jezu Krishtit, si në bashkëkohësi) do të thotë pikërisht përkujtimi i asaj ngjarje historike ku Hyji e liroi popullin e Izraelit prej robërisë shekullore të Faraonit. Kështu që Festa e Pashkëve të hebrenjve ishte pothuajse një sintezë e tërë historisë se popullit të zgjedhur të Hyjit.

Pashka e Jezusit ( apo ajo e krishterë)

Gjykimi, dënimi, mundimi dhe vdekja e pafajshme e Jezu Krishtit ishte një përputhje më festat e Pashkëve të hebrenjve. Dhe sipas të gjitha gjasave vdekja e Jezu Krishtit përputhet me vigjiljen e Pashkëve të vitit 30, ditë në të cilën  flijoheshin viktimat e Pashkëve në Tempull (Gjn 18, 28). Ishte, pra, ditë e premte, pasi që në atë vit Pashka binte në ditën e shtunë. Kur kaloi e shtuna, pra një ditë pas, gratë të cilat e kishin përcjellë Jezusin nga Galilea shkuan te varri për ta përuruar Trupin e Jezusit. 

Duke shkuar te varri gjetën varrin e zbrazur dhe i dëgjuan këto fjalë: “Ai u ngjallë nuk është këtu” (Mk 16, 6). Pra, Pashka e krishterë është vazhdimësi e Pashkëve hebraike, është përsosmëria e tyre. Për Pashkët hebraike përkujtohej kalimi apo lirimi i një populli nga robëria egjiptiane; ndërsa me Pashkët e krishtera përkujtohet dhe kremtohet mundimi, vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit, si kalim prej robërisë se mëkatit, në lirinë e bijve të Hyjit. Darka e Mbrame është lajmi profetik i këtij misteri. Vdekja dhe Ngjallja ishin konfirmim i tij, ndërsa Eukaristia është përkujtim i mundimeve, vdekjes dhe i ngjalljes së Jezu Krishtit.

Pashka e Jezu Krishtit është po i njëjti kalim, apo gjaku i tij është shpëtim për njerëzimin që Hyji të kapërcejë dhe të mos dënojë, por të falë popullin e tij për meritat e Jezu Krishtit. Jezu Krishti është Qengji Shpëtimtar. Këtë e shpreh shumë mirë edhe Shën Pali në letrën e parë drejtuar Korintianëve:“Pastrohuni prej tharmit të vjetër, që të bëheni brumë i ri, sikurse jeni edhe të pabrumë, sepse Krishti – Qengji ynë i Pashkëve, tanimë është flijuar” (1 Kor 5, 7). Ungjijtë kalimin prej Pashkës se vjetër në Pashkën e krishterë e nënvizojnë pikërisht prej Darkës se Fundit. Për hebrenjtë ishte darka e Pashkëve, ndërsa për të Krishterët u bë Eukaristia.

Në përfundim patjetër duhet shtuar kjo pyetje: Pse të krishterët e kanë quajtur veprën shpërblimtare të Jezu Krishtit më të njëjtën emër të Pashkëve të hebrenjve? Sepse pikërisht me këtë vepër është treguar mëshira e pakufi e Hyjit nëpërmjet Jezu Krishtit, në dobi të mbarë njerëzimit.

Në këtë ngjarje Hyji është treguar si Atë, sikur thotë edhe vetë Shën Gjoni: “Vërtet Hyji aq fortë e deshi botën, saqë e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur” (Gjn 3, 16).  Nëpërmjet ngjalljes se Jezu Krishtit mbi secilin njeri zbriti edhe dhurata e Shpirtit Shenjt, si zbatimi i misterit të veprës së shëlbimit apo shpëtimit – Mister i Pashkëve tona.

Të krishterët, për çdo të diele (që 2000 vjet) e përkujtojnë këtë Mister të Pashkëve, pra Misterin e Shpëtimit të tyre. E në veçanti, në mënyrë kremtore e përkujtojnë me Festën e Pashkëve, të cilës i paraprin një periudhë përgatitore prej dyzet ditëve që fillon më të Mërkurën e përhime dhe quhet koha e Kreshmëve. Festës se Pashkëve i paraprin Java e madhe, e cila fillon më të Dielën e Larit dhe përfundon më treditëshin e Pashkëve.  

Dhe krejt në fund duhet theksuar që Festa e Pashkëve, e sidomos liturgjia e saj, është shumë e begatshme me shenja dhe simbole siç janë: bekimi i ujit, bekimi i zjarrit, bekimi i bukëve të pabrume, ngjyrosja e vezëve e shumë pjesë të traditës kishtare sidomos në vigjiljen apo natën e Pashkëve, pas bekimit të ujit, po me atë ujë pagëzoheshin anëtarët e rinj që e përqafonin fenë e Krishterë.