INTERVISTA

Çeku: LDK mori kahe diverse, andaj vendosëm për formimin e Partisë Demokratike të Diasporës

Diaspora ka qenë dhe mbetet e angazhuar në parti politike, por përmes degëve të partive të cilat veprojnë në Kosovë. Pasi që ato kanë dëshmuar me dekada rresht se nuk janë të interesuara për kapacitetet që ka diaspora, por vetëm për paratë tona dhe votën në kohën e zgjedhjeve, si rrjedhojë vije një zhvillim i logjikshëm i mërgimtarëve pra: ideja dhe themelimi i subjektit të PDD!

Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për Kosova.info, një ri nga iniciuesit e themelimit të këtij subjekti politik, Emrush Çeku.

Kosova.info: Zotëri Çeku, ju njiheni si një nga aktivistët më të devotshëm të LDK-së në Diasporë. Pse vendosët të formoni një subjekt tjetër politik, e të mos vazhdoni me LDK?

Emrush Çeku: Faleminderit, për pyetjet dhe interesimin tuaj për Partinë Demokratikë të Diasporës! Kontributi im 30 vjeçar, në LDK bazohet kryekëput në intencën time të vazhdueshme për çlirimin e Kosovës nga Serbia e më tutje për një Kosovë të zhvilluar ku qytetari i saj do të ndjehet mirë dhe krenar. Pjesa dërmuese e mërgatës politike, ka kontribuar në LDK, përmes degëve të saj, duke dhënë maksimumin për zhvillimin e LDK-së. Me vdekjen e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, rrugët e partisë morën kahe diverse. Brenda saj u fuqizuan grupet e interesave të ndryshëm, u shtuan lakmitë personale, të cilat grupe harruan jo vetëm mërgatën por anashkaluan edhe figura të rëndësishme politike e kombëtare, ata të cilët kanë kontribuar me dekada rresht në Kosovë e jashtë saj.

Vazhdimisht kemi shpresuar se gjendja do të përmirësohet duke i dhënë përparësi arsyes logjike e të shëndoshë të këtij subjekti, mirëpo me rizgjedhjen e tretë të z. Isa Mustafa në krye të subjektit, u shua çdo shpresë se udhëheqësja e saj do të këndellej një ditë.

Ky ishte shkaku pse vendosmë të konsolidojmë e themelojmë një parti të re bazuar në filozofinë politike të Dr. Ibrahim Rugovës, e figurave tjera nacionale. Duke afirmuar më tutje vlerën, kulturën e mbi të gjitha gatishmërinë e shqiptarëve për të ndihmuar zhvillimin e vendit nga atje ku jetojnë e punojnë.

Kosova.info: Cili është programi i PDD-së?

Emrush Çeku: Programi i PDD, është i bazuar në vullnetin e shqiptarëve, për zhvillim ekonomik, për shtet ligjor, për të drejta të barabarta të qytetarëve kudo që ata jetojnë e punojnë…

Kosova.info: Eksponent nga diaspora, kështu e vlerësojnë iniciativën për themelimin e PDD-së, citojmë “jemi në vëzhgim të çdo lëvizjeje rreth këtij subjekti, si nga emërtimi, ashtu edhe përmbajtja. Nuk është në nivelin e duhur, është produkt i ambicieve personale dhe jo rezultat i vlerave të mirëfillta”. Komenti i juaj?

Emrush Çeku: Paragjykimet për njëri tjetrin dhe kundër njëri tjetrit, pothuajse janë bërë pjesë e kulturës sonë. Etiketimet drejtuar subjektit të panjohur më ngjajnë prapë në një mos kulturë apo mosinteresim e së fundi pse jo edhe një smirë ndaj secilës lëvizje të unisuar të një shtrese të caktuar të qytetarëve të Kosovës të cilët jetojnë jashtë saj!

Mendoj që është e drejtë e secilit qytetarë veçmas, por edhe e grupeve të interesit të përbashkët të kërkojnë rrugën për të kontribuar në të mirë të vendit, gjë e cila është obligim moral i secilit prej nesh. Mendoj që partitë politike e kryesisht LDK, kanë përfituar mjaft nga dashuria dhe përkushtimi i pakursyer i mërgatës patriotike! Ndërsa në anën tjetër nuk kanë krijuar hapësirë për kontributin konkret në mekanizmat e shtetit. Si rrjedhojë e këtij neglizhimi e shumë të tjerave të cilat besoj se ju dhe lexuesit i njihni dhe i keni parasysh, lindë edhe nevoja për themelimin e një subjekti i cili në të ardhmen e afërt do të koordinoj afirmimin e vlerave, shkëmbimin e tyre në mes të Kosovës e Perëndimit, duke u angazhuar maksimalisht për zhvillimin e vendit. Kemi llogaritur edhe në reakcionet e skeptikëve apo njollosësve kujdestarë, por ne mund të themi vetëm se: Do të jemi pranë secilit qytetarë i cili ka vullnetin të kontribuoj politikisht për Kosovën, duke qenë i përfaqësuar drejtpërsëdrejti në institucionet vendore.

Kosova.info: Kush janë emrat tjerë të PDD-së, që vlejnë të përmendën?

Emrush Çeku: Secili anëtar dhe aktivistë i PDD, është vlerë dhe emër me vlera kombëtare. Në PDD pa dyshim që nuk do të ketë njerëz të inkriminuar në krime apo të korruptuar, Po ashtu nuk do të ketë anëtarë, ata të cilët bien ndesh me ligjin e Shtetit të Kosovës si dhe vendeve ku jetojnë e punojnë. Prandaj nuk do të veçoja emra sepse që të gjithë simpatizantët dhe anëtarët e PDD janë njësoj meritor dhe unë i falënderoj me këtë rast për mbështetjen dhe kontributin që po japin për të zhvilluar PDD!.

Kosova.info: Pse duhet të organizohet edhe diaspora me parti politike kur ka mjaft parti në Kosovë?

Emrush Çeku: Diaspora ka qenë dhe mbetet e angazhuar në parti politike, por përmes degëve të partive të cilat veprojnë në Kosovë. Pasi që ato kanë dëshmuar me dekada rresht se nuk janë të interesuara për kapacitetet që ka diaspora, por vetëm për paratë tona dhe votën në kohën e zgjedhjeve, si rrjedhojë vije një zhvillim i logjikshëm i mërgimtarëve pra: ideja dhe themelimi i subjektit të PDD! Subjekt i cili përmes përfaqësuesve të zgjedhur do të prezantoj zërin e mërgimtarëve vullnetin dhe mundësitë e shumta për ti dal në ndihmë vendit. Por njëkohësisht, për të qenë edhe konkurrent i drejtpërdrejtë i institucioneve të Kosovës. Diaspora shqiptare do të jetë politikisht aktive edhe për një kohë të gjatë, duke dhënë maksimumin në kontributin konkret për një Kosovë ndryshe, të prosperuar e demokratike dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare.

Kosova.info: Ku do të regjistrohet ky subjekt politik, në Kosovë apo atje në perëndim?

Emrush Çeku: Subjekti ynë është regjistruar në Prishtinë. Si dhe do të regjistrohet në Perëndim në të gjitha vendet ku i kemi degët tona, konform ligjeve ekzistuesi për të huaj që jetojnë e veprojnë në vendet përkatëse.

Kosova.info: Me cilën parti politike do të hyni në koalicion në zgjedhjet e ardhshme?

Emrush Çeku. Me ato parti, të cilat respektojnë normat demokratike, kanë orientim të qartë pro- perëndimor dhe të cilat janë në miqësi me ShBA.

Kosova.info: Cili është qëndrimi i subjektit tuaj politik për Gjykatën Speciale, bisedimet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi?

Emrush Çeku: Parlamenti i Republikës së Kosovës ka votuar për Gjykatën Speciale, prandaj mendojmë se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë kooperuese me partnerët ndërkombëtar. Urojmë që kjo gjykatë sa më parë të mbaroj punën e saj në mënyrë që organet e drejtësisë shtetërore të vendit të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre. Demarkacioni me Malin e Zi, na ka marr shumë kohë dhe ka krijuar një ndasi nacionale. Përgjithësisht e konsiderojmë si veprim të pamenduar mirë. Mirëpo të presim të shohim se çka sjell me vete korrigjimi i marrëveshjes shtesë me Malin e Zi!?

Kosova.info: Po për Mini Shengenin?

Emrush Çeku: Mini Shengeni Ballkanik, për ne si PDD rezulton si një akt i ngutshëm dhe i dëmshëm. Arsyet janë të shumta dhe kryesisht të njohura për opinionin. Serioziteti i kësaj marrëveshje mund të demantohet me shembullin më të thjeshtë kur shikohen radhët e shumta të pritjes në pikat doganore, pikërisht këtyre ditëve kur bashkatdhetarët tanë udhëtonin drejtë vendlindjes. E padyshim se kulmi i një absurditeti të tillë mund të përkufizohet me faktin që Serbia ende as që e ka njohur Kosovën me të cilën pretendojnë të bëjnë një marrëveshje, ku interesi i Serbisë vihet para çështjeve më të rëndësishme të kombit.

Kosova.info: Cili është vlerësimi për zyrtarët institucional dhe atyre të subjekteve politike?

E.C: Unë nuk do të jap asnjë vlerësim për shumë arsye. Mendoj se vetëm duke u angazhuar e duke punuar ndryshe mund të bëjmë të dukshme të mirën dhe të ligën. Pra le ti përvishemi punës dhe më pastaj të dalim me gjykime rreth temave të tilla. Me këtë rast dua të shtoj se padyshim që në kuadër të institucioneve shtetërore e atyre partiake ka dhe do të ketë gjithmonë njerëz të vyeshëm e të dinjitetshëm.

Kosova.info: Si e shihni koalicionin e mundshëm në mes të VV-së dhe LDK-së?

Emrush Çeku. Edhe ne si subjekt jemi në pritje të koalicionit mes këtyre dy partive.

E konsiderojmë si të dëmshëm dështimin e këtij koalicioni. Por nëse ndodhë që vendi duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme ne (degët e partisë) do të shqyrtojmë bashkërisht dhe do të dalim me një qëndrim rreth koalicioneve zgjedhore apo edhe parazgjedhore.

Intervistoi: Mentor BARANI