Bota

Çekia mund të nisë me relaksimin e masave kundër koronavirusit në mes të prillit

Masat e ashpra në Republikën Çeke, të cilat janë ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, mund të relaksohen brenda tri javësh, tha kreu i Komitetit të Krizave në këtë vend, Roman Prymula.

Duke folur për televizionin lokal Prima, ai tha se ritmi i infektimeve në Çeki është duke u ngadalësuar dhe shfaqi shpresën se numri total i rasteve nuk do të kalojë 10,000.

Nëse ndodh kështu, Prymula tha se qeveria mund të nisë me relaksimin e masave parandaluese, që përfshijnë mbylljen e kufijve, ndalimin e lëvizjeve jo të domosdoshme dhe mbylljen e dyqaneve, pos atyre ushqimore dhe farmacive.

Prymula, epidemiolog dhe zëvendësministër i Shëndetësisë, nuk e specifikoi se cilat masa mund të relaksohen, por tha se fokusi do të jetë në kufizimin e humbjeve ekonomike.

Republika Çeke aktualisht ka 1,047 raste të konfirmuara me koronavirus.